
Berisha akuzon qeverinë për nivelin e lartë të korrupsionit

Berisha foli me raste konkrete ku përmendi rastin e aksit Ibë-Farkë, ku për 7 kilometra, kostot shkuan nga 255 milionë euro, në 430 milionë. “Një gjë do t’ju them, kur të shkoni në Tiranë, përtej tunelit, quhet Ibë ajo zona. Nga Iba deri në Farkë, ishte autostrada e papërfunduar në vitin 2013. Ishte 7 km e papërfunduar.
E gjithë rruga ishte kontraktuar me 255 mln euro. Kur e dorëzuam pushtetin, kishte përfunduar tuneli dhe 20 km rrugë nga tuneli në Elbasan. Kishin mbetur 7 km. Rruga nga 255 mln euro, kërciti në 430 mln euro për ato 7 km rrugë. Një kilometër rrugë shkoi 30 mln euro. Vetëm vjedhin pafund. Aktori i ka hedhur në gjyq, sepse e ka parë se çfarë janë këta. Dhe do t’u marrë dhe 15 mln euro përmes taksës suaj. Në çdo gotë uji, në çdo kafshatë ju paguani TVSH-në”, tha Berisha.
Ndërkohë vijoi duke treguar diferencën e kostove mes BE-së dhe Shqipërisë. Sipas tij, ndonëse BE ndërton me standarde më të mira, atje 1 kilometër rrugë në fushë shtrohet me 2.3 milionë euro, ndërsa në Shqipëri ndërtohet me 21 milionë euro. “Deklarojnë se po investojnë në vaditje. Kemi lënë një projekt 140 mln euro të Bankës Botërore për kanalet e Myzeqesë, nuk i kanë përfunduar. Pse e ndërtuam hidrocentralin e Banjës? Sepse kjo duhet të jetë vepër kryesore vaditëse për të gjithë ultësirën. Kanë bërë ndonjë kanal? Nuk ekziston për ta problemi i bujqësisë. Për këta ekziston vetëm rruga. Nëse në Europë ndërtohet rruga me 2.3 mln euro për kilometër në fushë, këta e ndërtojnë me 21 mln euro”, vijoi kreu i opozitës.
PROBLEMET E FERMERËVE
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike gjatë takimit me fermerët në Belsh u ndal edhe te problematikat e tyre, ku akuzoi qeverinë se i përçmon ata duke ulur eksportet dhe duke rritur importet nga Serbia. Sipas Berishës, me sistemin fiskal që ka bërë qeveria e Kryeministrit Rama, ka shkelmuar të drejtat e fermerëve shqiptarë. “Vetëm nga vjet gjer sivjet janë 39 mijë tonë qumësht më pak i prodhuar. Statistikë zyrtare kjo. Ka një rënie të madhe të eksporteve bujqësore.
Ka një rritje të importeve nga Serbia. Ka një përçmim në një farë mënyre të punës dhe potencialeve tuaja. Si e bën qeveria këtë? Qeveria e bën me një sistem fiskal i cili shkelmon mbi të drejtat tuaja ligjore. Me asgjësimin e subvencioneve. Me një qëndrim ndaj eksportuesve. Por eksportuesit janë agjentët kryesorë të nxitjes së prodhimit bujqësor. Ju çdo gjë e blini me TVSH. Qeveria e ka çuar dengun e barit deri në atë çmim që fermeri të mos mbajë më lopën. Ai që e di se ç’do të thotë të punosh në fermë në pikun e vapës dhe në të ftohë, nuk mund të sillet në këtë mënyrë. Ai duhet të mendojë si duhet t’ju ndihmojë, sepse ndihma ndaj jush kthehet në mirësi për ekonominë dhe ndaj jush”, u shpreh Berisha.
BASHKËBISEDIMI
Nga Belshi, Berishës iu kërkua nga një fermer edhe që të hiqte ligjin 7501 për ndarjen e tokës kur të vinte në pushtet. Por ndonëse deklaroi se nuk kishte qenë ajo ideja e tij për ndarjen e tokës, u shpreh se nuk mund ta zhbënte dot. “Unë kur isha kryetar partie, 3 muaj, shkoja në Ndroq, kisha dalë me parullën toka e të zotit. Nuk kisha ide se mund të bëhej ndryshe. Fshatarët më thonë se nëse do të vazhdosh me këtë, ti nuk do votohesh kurrë nga ne. Zotërit e votës ishte fshati. Shkoja në Korçë dhe Lushnje, gjeja të njëjtin qëndrim. Më thoshin harroje, po të jetë se ti mban konceptin toka e të zotit, nuk ka vota. Çfarë kishte aty? Regjimi e ktheu fshatin në një rezervat njerëzor, kur kishte 3 familje, u bënë 15 familje.
Cila ishte rezerva valutore e shtetit atë vit, ishte 4 mln dollarë. S’kishte asgjë. Çfarë mund të bëhet? Mund të stimulohet tregu i tokës. Të them tani se do të zhbëj atë ligj, nuk mund ta marrë përsipër. Sepse janë krijuar marrëdhënie të tjera posedimi 30- vjeçare. Ajo që mund të bëjë qeveria për zmadhimin, është të nxisë tregun dhe të kreditojë tregun e tokës. Mendoj se çdo gjë do të gjykohet me kohën. Po marr një fshat në të cilin në vitet 90’ jetonin 300 banorë. Nëse prej tyre, 200 mbeteshin pa tokë, asnjë lloj potenciali nuk kishte shteti për t’i ndihmuar. Nuk u shpik, por ishte jo i drejtë. Toka e atij që punon dhe jeton aty. Bullgaria përdori të njëjtin ligj. Ndryshoi më vonë ligjin, por Bullgaria ka sipërfaqe toke për frymë, ka mundësi 10 herë më shumë se Shqipëria. Nëse ka një gjë që ne e kemi pak për frymë, është toka. Është disa qindra metra për frymë, sasia më e ulët tokë për frymë në Europë”, tha Berisha duke premtuar ndryshimin e skemës së subvencioneve të fermerëve.
“Do të shtrijmë subvencionet, do të shtrijmë pagesën e TVSH-së, do të zbatojmë ligjin për TVSHnë. Pa asnjë diskutim, ju do të merrni shpërblimin ose subvencionimin për njësi prodhimi për hektarë, siç është standardi, është vetëm bujqësia shqiptare ajo që po pëson këtë kolaps, në një kohë kur bujqësitë e tjera nuk po pësojnë asnjë kolaps, përkundrazi fermerët po mëkëmben, por ky e ka mendjen aty ku fitojnë qeveritarët më shumë, gënjen në mënyrë të tmerrshme. Thotë kam dhënë 30 mijë lekë për person, që nuk vlen për asgjë dhe ato i ndërpreu tani që duhen më shumë. Ndaj dhe dalim te fjala e zotërisë, duhet doktori për t’i dhënë ilaçin, doktori popull dhe do t’ia japim ilaçin atij dhe këtë situatë do ta ndryshojmë tërësisht”, tha Berisha.
(Kosova Sot Online)