“Të tronditur…”, Shpejtim Bulliqi reagon pas aksidentit me dy të vdekur në Podujevë

  • E.K /
  • 29 July 2022 - 10:17
“Të tronditur…”, Shpejtim Bulliqi reagon pas aksidentit me dy të vdekur në Podujevë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas aksidentit tragjik që ndodhi sot herët në Podujevë, ku vdiqën dy persona dhe u lënduan dy fëmijë.

Bulliqi ka thënë se janë të tronditur nga ky lajm, derisa u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve e të afërmve të viktimave.

Të lënduarve u ka uruar shërim të shpejt.

“Të tronditur morëm lajmin për aksidentin tragjik në orët e hershme të mëngjesit ku humbën jetën dy persona. Në këto momente të dhimbjes dhe pikëllimit,  shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet, miqtë dhe të afërmit e viktimave, ndërsa të lënduarëve iu uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Bulliqi.

Një 35-vjeçare me inicialet M.S dhe një 36-vjeçar me inicialet Sh.S, kanë mbetur të vdekur pas një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar dy fëmijë.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e  viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër,  35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

(Kosova Sot Online)