Çitaku për veprimet e djeshme të Qeverisë: Të paplanifikuara dhe të pakoordinuara

  • S.A /
  • 01 August 2022 - 13:11
Çitaku për veprimet e djeshme të Qeverisë: Të paplanifikuara dhe të pakoordinuara

Çitaku për veprimet e djeshme të Qeverisë: Të paplanifikuara dhe të pakoordinuara. Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, gjatë një konference për media, ka thënë se Qeveria ka ndërmarrë veprime “të paplanifikuara dhe të pakoordinuara”. Çitaku tha se vendosja e barrikadave dhe pengimi i lirisë së lëvizjes në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm.

 “Sa i përket Qeverisë së Kosovës, aksioni i mbrëmshëm dëshmoi edhe një herë se vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë dhe prandaj nuk arriti që të realizohet. Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë, po krijon një përshtypje që Veriu është i pamenxhueshëm dhe që situata atje është jashtë kontrollit të shtetit. Po ashtu, veprimet e Qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë, jo vetëm të ndëgjojnë ata në momentet e fundit të krizës. Aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti. Ato duhet të mirëmbahen dhe kultivohen me seriozitet”, tha ajo. 

Çitaku tha se bashkërendimi i të gjithë akterët relevantë, ndërkombëtarë e vendorë, është i rëndësishëm para marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin.

 “Presim nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të tregoj seriozitet, të sillet përgjegjshëm, të ndërmarr veprime të planifikuara mirë në koordinim gjithmonë me aleatët tanë. Situatat si ajo mbrëmë, ku qytetarët u lanë në ankth dhe huti, mërgimtarët e bllokuar dhe pa informata në kufi, nuk guxojnë të përsëriten me 1 shtator, kur të filloj zbatimi i reciprocitetit të pjesshëm me Serbinë. Sot, nuk është koha për protagonizëm politik, por për pjekuri politike.”, tha ajo.

 Çitaku ka ftuar qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit.

 “Ftojmë edhe një herë  qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë.”, tha ajo.

(Kosova Sot Online )