Të riut në Prishtinë i shkon huq mundi për t’u arratisur, Policia e kap dhe ia gjen dy armë zjarri në brez

  • G.G /
  • 03 August 2022 - 09:51
Të riut në Prishtinë i shkon huq mundi për t’u arratisur, Policia e kap dhe ia gjen dy armë zjarri në brez

Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Një rast i tillë është zbuluar edhe orët e para të mëngjesit të djeshëm në Prishtinë.

Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur rreth orës 03:45, teksa Policia po patrullonte në rrugën ‘Dervish Qollaku’ ka vërejtur dy persona të cilët kishin filluar të iknin posa kanë parë zyrtarët policorë.

E njërit nga ta i gjithë mundi për arratisje i shkoi huq, pasi u arrit që të kapet nga policët dhe t’i nënshtrohet kontrollit nën dyshimet për posedim të gjërave të kundërligjshme. Gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë kanë gjetur te 33-vjeçari dy pistoleta, tre karikatorë dhe 20 fishekë.

Ai është arrestuar menjëherë dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje, posedim i paautorizuar i armës’.

Me urdhër të prokurorit, 33-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

(Kosova Sot Online)