Shoferi i postës së shpejtë ‘Falcon’ inskenon grabitjen e armatosur, denoncon rrejshëm se hajnat ia morën 1 mijë euro

  • G.G /
  • 09 August 2022 - 08:49
Shoferi i postës së shpejtë ‘Falcon’ inskenon grabitjen e armatosur, denoncon rrejshëm se hajnat ia morën 1 mijë euro

Një shofer i kompanisë ‘Falcon’ – postë e shpejtë nga Lipjani ka denoncuar dje në Polici se disa persona të armatosur në fshatin Mazgit të Obiliqit, i dolën në pritë dhe nën kërcënimin e armës ia morën 1 mijë euro. Por pas hetimeve, Sinjali mëson se ky denoncim doli të jetë i rrejshëm dhe i inskenuar nga punëtori i kësaj poste.

Si e raportoi punëtori i Falcon ‘grabitjen’?

Siç merr vesh Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, punëtori i kësaj poste ka njoftuar Policinë mëngjesin e djeshëm se dy persona, të maskuar e me armë ia morën rreth 1 mijë euro, para cash që kishte me vete dhe ikën nga vendi i ngjarjes.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë përkatëse të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me një ekip të Emergjencës. Punëtori i dyshuar siç duket e planifikoi në detaje inskenimin e rastit saqë kërkoi ndihmë mjekësore për shkak të ‘shqetësimit’ të madh nga ‘grabitja’.

Raportimi i rastit bëri që Policia të aktivizohej menjëherë për të bërë hetimet e nevojshme për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar. Por nuk shkoi gjatë dhe u zbulua se vet denoncuesi ishte person i dyshuar.

Sipas informatave të para, punëtori i kësaj poste e ka inskenuar gjithë rastin, për motive ende të panjohura.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.

(Kosova Sot Online)