“My father king”/ 22-vjeçarja që bashkëjeton prej vitesh me Vali Corleonen, dyshohet se e plagosi atë me armë në këmbë

  • S.A /
  • 11 August 2022 - 13:02
“My father king”/ 22-vjeçarja që bashkëjeton prej vitesh me Vali Corleonen, dyshohet se e plagosi atë me armë në këmbë

Shtëpia ku bashkëjetonin prej vitesh personazhi i njohur për publikun, Princ Valentino Corleone dhe Anita Syla, mëngjesin e sotëm u shndërrua në një skenë krimi. Kjo pasi që 22-vjeçarja dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të Valit, duke e lënë atë të plagosur.

Sinjali mëson  se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, ku Anita Syla dyshohet se me armë zjarri plagosi në këmbë Valin. Kjo bëri që Corleone me urgjencë të shkojë në Qendrën Emergjente të spitalit rajonal në Gjilan, për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Stafi shëndetësor ka njoftuar Policinë e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë takuar të dyshuarën dhe një dëshmitare shtetase të Serbisë, e cila ndodhej pranë çiftit momenti kur ndodhi akti. Policia po ashtu ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit që dyshohet se u përdor në rast dhe 40 fishekë.

22-vjeçarja, Anita Syla, u prangos si e dyshuar për ‘Vrasje në tentativë’ ndaj personit me të cilin është në lidhje dashurie tash e disa vite. Anita, emri i së cilës shpesh herë ka mbuluar ballinat e shtypit rozë, në videot e publikuara në rrjete sociale ka treguar vazhdimisht raportin e mirë që kishte me Valin. Ajo madje i kishte lënë atij nofkën ‘Father King’.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Valit është stabile dhe ai është shtrirë në repartin e Kirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë me urdhër të prokurorit, Anita Syla është dërguar në mbajtje për 48 orë, teksa po vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivin që shtyu drejt ngjarjes dhe rrethanat se si ndodhi rasti.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

Image

(Kosova Sot Online )