Uniteti politik i liderëve të Kosovës në raport të dialogut me Serbinë është akt i domosdoshëm historik dhe patriotik për shtetin

  • -Gani Qarri /
  • 13 August 2022 - 08:14
Uniteti politik i liderëve të Kosovës në raport të dialogut me Serbinë është akt i domosdoshëm historik dhe patriotik për shtetin

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Maskat mashtruese të presidentit serb dhe politikës grabitqare të Serbisë hegjemoniste karshi Kosovës, përfundimisht po hiqen nga vet politikanët dhe ish udhëheqësit shtetëror, brenda për brenda Serbisë, të cilët i dërgojnë mesazhe indirekte, por shumë të qarta dhe domethënëse, Qeverisë Kurti që në dialogun e Brukselit të mos bien në grackë për të bërë gabime e lëshime të mëtejme, siç bënë ish qeveritarët e inkriminuar, në dëm të sovranitetit, integritetit territorial dhe të shtetit të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës, edhe nga vendet më të fuqishme dhe me ndikimin më të madh në botë, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermani, Franca etj!

-Një denoncim dhe dekonspirim i tillë i politikës së Vuçiqit, vjen pikërisht nga ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Zharko Koraq, i cili ka folur publikisht për qasjen që ka Beogradi zyrtar, e sidomos presidenti serbomadh Aleksandër Vuçiq, përballë Kosovës dhe dialogut në Bruksel, lidhur me arritjen eventuale të marrëveshjes finale me shtetin tonë të ri. Për aq më tepër Koraq ka sqaruar në detaje, se opsioni i Dobrica Qosiqi për ndarjen e Kosovës, është projekt që megjithëse ende nuk po thuhet zyrtarisht, mbetet i vetmi plan, për të cilin punohet dhe angazhohet, natë e ditë, me të gjitha mjetet dhe mundësitë politika aktuale qeverisëse në Serbi, një plan i vjetër që daton qysh nga shkrimtari Dobrica Çosiq e madje edhe më parë për ndarjen e Kosovës, i cili ekziston edhe sot në kokat e disa njerëzve, përfshi edhe vet presidentin serb dhe ministrin e pasardhësin e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiqin.

Megjithëse nuk e kam dëgjuar Aleksandër Vuçiqin të flas publikisht për këtë projekt, Koraq thotë; jam shumë i sigurt që ai këtë plan e ka në kokë, ani pse publikisht Vuçiq ka folur për Asociacionin e Komunave Serbe”, por me kompetenca ekzekutive, si monedhë e mirë-menduar dhe e studiuar thellë e gjerë nga vet Vuçiqi, që në një moment të caktuar të përdoret, për forcimin e kërkesave secesioniste dhe autonomiste, deri te ndarja përfundimtare e Kosovës, për ta jetësuar platformën e Çosiqit e të Millosheviqit, qoftë edhe në këtë mënyrë dhe filluar me krijimin e Serbisë së madhe, pikërisht nga tokat e Kosovës. Prandaj ky paralajmërim është edhe një alarm shumë serioz, që vije nga ish udhëheqës dhe politik bërës parësorë të shtetit në Serbi, për spektrin e pa unifikuar politik të Kosovës, që përfundimisht në këtë proces të rëndësishëm, ata të tregohen shumë më të vetëdijesuar, se sa janë aktualisht dhe përfundimisht të jenë të bashkuar e jo të përçarë si deri më tani, për interesa të ngushta individuale e politike dhe lakmi për pushtet, gjë që përveçse nuk shkon aspak në interes të vendit, përçarja e partive politike shqiptare, pengon fort dhe në vijimësi edhe funksionalizimin dhe forcimin e shtetit tonë të brishtë me sovranitet të qëndrueshëm dhe kufij e territor të pa cenueshëm të Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".