Në burg për 613 kg kokainë, Arbër Çekaj merr dënim të ri për planin e arratisë me “babagjyshin”

  • E.K /
  • 19 August 2022 - 15:49
Në burg për 613 kg kokainë, Arbër Çekaj merr dënim të ri për planin e arratisë me “babagjyshin”

Biznesmeni Arbër Çekaj që ndodhet në burg për trafikimin e 613 kg kokaine kolumbiane në Shqipëri ka marrë një dënim të ri nga Gjykata e Tiranës pasi një vit më parë tentoi të arratisej nga burgu.

Çekaj është shpallur i fajshëm për tentativën e arratisjes nga burgu 313 në kryeqytet në gusht të vitit të kaluar. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Çekajt i shtohet 1 vit dënimit aktual.

Çekaj tentoi të arratisej bashkë me Fatmir Pjetrin, i cili gjykohet i veçuar. Skema e arratisjes ishte e mirëorganizuar. Në 8 gusht 2021 ata dolën nga zgara e zonës së ajrimit e më pas duke përdorur një litar të prodhuar me çarçafë zbritën në hapësirën para portës së burgut, por nuk munden të dilnin nga rrethimi.

Kujtojmë se Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit ka lënë në fuqi dënimin me 14 vite burg për Arbër Çekajn, pronari i kontejnerit me banane e kapur me 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Arben Çekaj u dënua me 21 vite burg, por përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 14 vite burg. Çekaj është dënuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e konteinerit me banane.

Bashkëpunëtori i Çekajt në planin e arratisë Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal “Babagjyshët” të cilët gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në disa qyete të vendit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

(Kosova Sot Online)