OKB: Popullsia e Kosovës do të zvogëlohet për 50%

  • A.P /
  • 23 August 2022 - 16:07
OKB: Popullsia e Kosovës do të zvogëlohet për 50%

Bosnjë dhe Hercegovina zuri vendin e parë në listën e vendeve me rënien më të madhe të numrit të banorëve në botë, sipas të dhënave të raportit të OKB-së për vitin 2022 “World Population Outlook”.

Bazuar në të dhënat, “Pixsell” krijoi një grafik që tregon se në top 10 vendet janë tri nga ish-Jugosllavia.

Në krye të listës është BeH-ja, e cila humbet më shumë se 1.5 për qind të popullsisë së saj çdo vit. Serbia është e shtata, ndërsa Kroacia në vendin e tetë.

Sipas këtij raporti, Letonia, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina, Lituania, Kosova, Armenia, Maqedonia e Veriut dhe Polonia pritet të humbasin nga 40% deri në 50% të popullsisë së tyre deri në fund të shekullit.

“Analiza e gjendjes së popullsisë konfirmoi se Bosnjë dhe Hercegovina është një vend me lindshmërinë më të ulët në botë (1.25), nivele të larta migrimi dhe plakjeje të popullsisë, si dhe pabarazi gjinore të rrënjosura thellë. Deri në vitin 2070, tendenca dhe pabarazi të tilla demografike do të çojnë në një reduktim të popullsisë së përgjithshme me mbi 50%, ndërsa struktura demografike do të anohet drejt një popullsie më të vjetër (me peshën e saj në totalin e popullsisë mbi 40%)”, shpjegoi John Kennedy Mosoti, përfaqësues i Fondit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në Bosnjë dhe Hercegovinë, pas Projektimit të Popullsisë së Bosnjë e Hercegovinës të realizuar së fundmi për periudhën 2020-2070, raporton “Zëri i Amerikës”, edicioni boshnjak.

Ai theksoi se “sektorët që janë vendimtarë për zhvillimin socio-ekonomik të vendit, si arsimi, shëndetësia dhe kujdesi social, do të jenë në rrezik serioz të dështimit, ndërsa tregu i punës do të përballet me mungesë të punëtorëve dhe profesionistëve të kualifikuar”.

“Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme të gjejmë zgjidhje të reja për investime më të mëdha në mirëqenie, ekzistencë dhe mundësi për përparimin e të rinjve në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha përfaqësuesi i UNFPA-s.

Pothuajse gjysmë milioni njerëz janë larguar nga Bosnjë dhe Hercegovina që nga viti 2013, sipas rezultateve të hulumtimit nga Unioni për Kthim dhe Integrim të Qëndrueshëm të BeH-së. Ndërkaq, vetëm në vitin 2021 u larguan 170,000 banorë, pothuajse një qytet sa Banjalluka.


(Kosova Sot Online)