
Spahiu: S’mendoj që Kurti do të dorëzohet, do të poshtërohej thellësisht

Opinionisti politik, Nexhmedin Spahiu i ka thënë mediave serbe se nuk mendon që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të dorëzohet për pezullimin e vendimit për reciprocitetin në targa dhe dokumente.Përndryshe, ka thënë Spahiu për Nova.rs, Kurti do të poshtërohej thellësisht.
“Shpresoj që para asaj dite [1 shtatorit] të arrihet një marrëveshje mes Aleksandër Vuçiqit dhe Albin Kurtit, përndryshe do të përballemi me një sfidë tjetër dhe një përplasje të re mes Policisë së Kosovës dhe strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, të financuara nga Qeveria e Serbisë. Këta janë të njëjtët që organizuan barrikadat dhe të cilët Qeveria e Kosovës i toleron për hir të paqes në atë zonë”, ka deklaruar Spahiu.
E vetmja mënyrë për të shmangur këtë situatë, analizon ai, është që Vuçiq të pranojë kërkesën e Kurtit.
“Nuk mendoj se Kurti do të dorëzohet, sepse do të poshtërohej thellësisht. Në këtë moment, mendoj se ai është i vetëdijshëm se mund të kishte qenë më mirë që të mos kishte vendosur as ta bënte këtë hap, por tani nuk ka më kthim prapa. Amerikanët e detyruan të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, por nëse ai do ta braktiste vendimin tani, mendoj se do të ishte poshtëruese për të. Prandaj supozoj se Vuçiq ose do të duhet ta pranojë këtë masë ose do të duhet të tërheqë vendimin për lëshimin e dokumenteve të përkohshme për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi”, tha ai.
Spahiu tutje ka shtuar se Kurti po përpiqet t’i çojë edhe një mesazh Edi Ramës.
“Në fakt, pikërisht me këtë masë Kurti po përpiqet t’i dëshmojë Edi Ramës se Vuçiqi në thelb nuk është pro Ballkanit të Hapur, sepse për çfarë lirie të lëvizjes dhe tregtisë po flitet, nëse këto dokumente duhet t’i plotësojnë qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi”, ka deklaruar Spahiu.
(Kosova Sot Online)