Kurti do t’i presë në zyrën e tij Krasniqin, Abdixhikun e Haradinajn, këta s’dihet a do t’i shkojnë

  • S.A /
  • 29 August 2022 - 12:43
Kurti do t’i presë në zyrën e tij Krasniqin, Abdixhikun e Haradinajn, këta s’dihet a do t’i shkojnë

Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar ‘online’ dhe fizikisht për takim, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Kurti do t’i presë tre liderët opozitarë të martën në zyrën e tij në Qeveri.

Në një mbledhje të partisë të dielën, Kurti tregoi se i ka thirrur liderët opozitarë për takim.

“Ne jemi për dialog me parime dhe për proces transparent prandaj edhe sot i dërgoj ftesë tre krerëve opozitar për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara”, tha Kurti dje.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i tha Expressit se ftesat iu dërguan atyre në mënyrë elektronike dje, ndërsa sot tha se do t’ua dërgojnë edhe fizikisht.

“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot fizikisht. Ftesa për takim është për ditën e nesërme, pra të martën”, tha Kryeziu. Nga partitë opozitare ende nuk i janë përgjigjur  nëse do të marrin pjesë në takim.

 (Kosova Sot Online )