Rama nga Beogradi: “Ballkani i Hapur” është projekt paqeje e bashkëjetese

  • G.G /
  • 01 September 2022 - 13:50
Rama nga Beogradi: “Ballkani i Hapur” është projekt paqeje e bashkëjetese

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në panairin e organizuar në Beograd në kuadër të samitit për “Ballkanin e Hapur”, ka thënë se zgjedhje e shteteve pjesëmarrëse është e thjeshtë dhe se dëshirojnë të qëndrojnë në rajon të gjithë bashkë.

Rama ka folur për tejkalim të inateve të vjetra dhe historisë së rajonit.

“Është e qartë që më mirë kështu së bashku, duke u afruar me njerëzit, duke parë se sa të përbashkëta kemi si njerëz, sesa ashtu siç kemi qëndruar më parë, me kurriz nga njëri-tjetri, pa ditur për njëri-tjetrin, me luftëra në mes.”, ka thënë Rama.

Ai tutje ka thënë se nisma e “Ballkanit të Hapur” është më tepër se ekonomi, tregti dhe politikë. Kreu i Qeverisë shqiptare thotë se “Ballkani i Hapur” është projekt paqeje.

“Ballkani i Hapur është shumë më tepër se ekonomi, se tregti, e se politikë. Është një projekt paqeje. Në mënyrë që kjo lagje e vogël në mes të Evropës të mos vuaj më nga hijet e së shkuarës, por të bëhet vend i të ardhmes për gjithë rininë tonë”, ka thënë Edi Rama.

(Kosova Sot Online)