'Paska me zbritë nga mali', ish-kryediplomatja kosovare e indinjuar me lejimin e vizitës së Bërnabiqit

  • E.K /
  • 02 September 2022 - 20:07
'Paska me zbritë nga mali', ish-kryediplomatja kosovare e indinjuar me lejimin e vizitës së Bërnabiqit

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka shprehur indinjatën e saj për lejimin e vizitës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në Kosovë.

Dikur shefja e diplomacisë kosovare, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka kritikuar MPJD-në për dhënien e “dritës së gjelbër” për vizitë Bërnabiqit, duke përkujtuar mohimin e krimeve të kryera të Serbisë në Kosovë.

“BËRNABIQ PASKA VENDOSË ME ZBRITË NGA MALI NË KOSOVË – me leje të MPJ-së, e cila paska harruar që ajo asnjëherë nuk dështoi t’i fyejë shqiptarët, të mohojë masakrat e gjenocidin serb, e t’a përkrahë diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi”, shkruan Haradinaj.

Bërnabiq, pasi ka marrë lejën për vizitë nga autoritetet kosovare, të hënën do ta vizitojë Kosovën.

MPJD ka konfirmuar lejën për këtë vizitë, duke iu referuar marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës,  i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq që ta vizitojë Kosovën me datën 5 shtator 2022”, bëjnë të ditur nga ky institucion.

Siç raportuan mediat serbe, Bërnabiq bashkë me Petar Petkoviq, drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, do ta vizitojnë Mitrovicën, Zveçanin e Leposaviqin.

(Kosova Sot Online)