“Nuk kam me të lënë vend kërkund në këtë botë”- Prokuroria i vihet pas zyrtarit nga Vitia që kërcënoi Kurtin

  • E.K /
  • 02 September 2022 - 21:50
“Nuk kam me të lënë vend kërkund në këtë botë”- Prokuroria i vihet pas zyrtarit nga Vitia që kërcënoi Kurtin

Një status në Facebook siç duket i ka kushtuar me paraburgim një zyrtarit në Komunën e Vitisë.

Naser Azemi, i cili aktualisht punon si zyrtar i Arkivit në Viti është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria në Gjilan pasi kishte shpërthyer në ofendime e kërcënime ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Madje, ai i ishte drejtuar kreut të qeverisë se nuk do t’i lë vend askund në botë. Reagimi i tij erdhi të premten pas mosekzekutimit të pagave të plota për muajin gusht.

Megjithatë, Paparaci mëson se Azemi është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Azemi është intervistuar të premten rreth orës 19:00 nga prokurori i rastit në Gjilan dhe po dyshohet për veprën penale “kanosje”.

I njëjti mund të ndiqet edhe penalisht e të përfundojë në burg për një shkrim në Facebook, ndonëse pasi u bë publik e kishte fshirë.

Ai në llogarinë e tij në Facebook shkroi se do të merret personalisht me shefin e qeverisë, pasi nuk plotë zyrtarëve të tjerë, përfshirë edhe atë, nuk iu dolën pagat për muajin gusht.

Kjo për shkak të grevës dhe një vendimi të ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Demagog i ndyer, rrogën e gushtit që e ke ndalur njerëzit për atë rrogë e kanë kryer punën! Vetëm i ndodhë fëmijëve të mi të vegjël diçka nga uria që ti jua ke shkaktuar, ta dijsh personalisht do të merrem me ty, nuk kam me të lanë vend kërkund në këtë botë!”, kishte shkruar Azemi në Facebook.

(Kosova Sot Online)