Kurti dha leje që Bërnabiq të vizitojë Kosovën, menjëherë merr ftesë ta vizitojë Luginën

  • E.K /
  • 02 September 2022 - 23:04
Kurti dha leje që Bërnabiq të vizitojë Kosovën, menjëherë merr ftesë ta vizitojë Luginën

Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi i ka bërë ftesë zyrtare kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një vizitë dy ditore te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Këtë ftesë Arifi e parashtroi në ‘Twitter’. Ai ftoi Kurtin menjëherë pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës t’ia konfirmonte vizitën për në Kosovë kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Ftoj kryeministrin Albin Kurti për një vizitë zyrtare dy-ditore tek shqiptarët në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Arifi në ‘Twitter’.

Me ose pa Kurtin, është raportuar se zëvendëskryeministri i Qeverisë, Besnik Bislimi, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin, do ta vizitojnë Luginën e Preshevës të hënën.

Kurti përkundër që ka thënë se do t’u ofrojë mbështetje shqiptarëve të Bujanocit dhe Luginës së Preshevës, ende nuk i ka vizituar ata si kryeministër.

Madje, është kërkuar edhe që përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës të marrin pjesë në dialogun Kosovë-Serbi, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. 

(Kosova Sot Online)