Bislimit ia çelin temën shkëmbimit të territoreve në Bujanoc, “Ishte i hutuar, nuk dha përgjigje në atë moment”

  • G.G /
  • 06 September 2022 - 11:29
Bislimit ia çelin temën shkëmbimit të territoreve në Bujanoc, “Ishte i hutuar, nuk dha përgjigje në atë moment”

Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, ka thënë se në takimin me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi gjatë vizitës së këtij të fundit në Luginën e Preshevës dje, ia ka çelur temën e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por që i dyti i qeverisë kosovare nuk i ka dhënë përgjigje.

“Të them të drejtën sot i kam propozuar zëvendëskryeministrit që çështja më e mirë do të ishte edhe për Serbinë edhe për Kosovën shkëmbimi i komunave të veriut me Luginën e Preshevës por zëvendëskryeministri Bislimi nuk dha përgjigje, nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Ndoshta ishte i habitur për temën kur u diskutua në atë moment”, ka thënë Arifi në emisionin Interaktiv.

I pari i komunës së Bujanocit tha tutje se e vetmja e zgjidhje është që e tërë Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

“Unë personalisht mendoj se është zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe Serbinë.  Ajo që kemi mundur ta përcjellim presidenti Vuçiq ka përmendur një kompromis dhe sigurisht mendon këtë drejtim por jo si ai mendon, ai mendon vetëm një pjesë të Luginës së Preshevës t’i bashkohet Kosovës dhe të marrë pjesën e veriut. Të them me një fjalë të jetë rahat edhe Kosova edhe Serbia duhet e tërë Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. E vetmja zgjidhje për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja është t’i takojnë trungut të përbashkët që është Republika e Kosovës”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)