Lirohet para kohe nga burgu krimineli serb i luftës në Bosnjë

  • E.K /
  • 06 September 2022 - 19:09
Lirohet para kohe nga burgu krimineli serb i luftës në Bosnjë

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë ka dhënë lirim të parakohshëm për Radoslav Brdjanin, ish-udhëheqës i Rajonit Autonom të Krajinës, i cili ishte duke vuajtur një dënim me 30 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sipas, Balkan Insight, vendimi i gjykatës së OKB-së, i cili është bërë publik pas transferimit të Brdjanin në Bosnje dhe Hercegovinë, tha se në vitin 2019, ai kishte vuajtur tashmë dy të tretat e dënimit të tij dhe kishte “arsye bindëse humanitare” për lirimin e tij të parakohshëm.

Ndërsa, presidentja e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, gjyqtarja Graciela Gatti Santana, është shprehur në vendim se, Brdjanin ka paraqitur një kërkesë për lirim të parakohshëm në gusht të këtij viti.

Ajo tha se kishte marrë informacion nga Njësia e Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Holandë, ku ai po mbahej, për “përkeqësimin e fundit dhe në dukje serioz të shëndetit të Brdjanin”.

Brdjanin, i cili tani është 74 vjeç, ishte dënuar me 30 vjet burg nga Tribunali i Hagës në vitin 2007, për krime kundër jo-serbëve, duke përfshirë persekutimin, torturën dhe dëbimet.

(Kosova Sot Online)