11 të arrestuar gjatë aksionit të Policisë në Pejë dhe Mitrovicë, sekuestrohen 92 bimë kanabisi, armë e municion

  • G.G /
  • 07 September 2022 - 15:30
11 të arrestuar gjatë aksionit të Policisë në Pejë dhe Mitrovicë, sekuestrohen 92 bimë kanabisi, armë e municion

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit sot ka zhvilluar një aksion me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale të disa personave të dyshuar. Si rrjedhojë është realizuar një operacion policor në disa lokacione të ndryshme për veprat penale që ndërlidhen me trafikimin e armëve dhe kultivimin e bimëve narkotike.

Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se si rezultat i veprimeve të marra është realizuar operacioni policor në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të 11 personave të dyshuar.

“Po ashtu njësitë policore në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve të përfshirë në raste, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, me ç’rast është  gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur (pyll)”, thuhet në komunikatë.

Gjatë këtij operacioni policor në të dy rajonet në Pejë dhe në Mitrovicë të Jugut, janë sekuestruar provat materiale si:

• shtatë (7) armë (2 Ak47, 5 revole),

• rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm,

• 92 bimë kanabis (marihuanë) me lartësi 1- 1.5 m,

• mbi 25 gramë kokainë,

• 5500 euro (para të gatshme),

• 6 telefona,

• si dhe dokumente relevante për rastin.

Pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetentë 6 prej tyre janë dërguar në mbajtje.

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/372913951715536

(Kosova Sot Online)