U shkarkua nga Sveçla para dy muajsh, merret vendimi për ta kthyer në punë Fadil Kodrën

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 15:56
U shkarkua nga Sveçla para dy muajsh, merret vendimi për ta kthyer në punë Fadil Kodrën

Fadil Kodra është kthyer në pozitën e drejtorit të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave.

Këtë e ka konfirmuar avokati i tij, Faton Fetahu, i cili tha se kjo ka ndodhur pasi është anuluar “vendimi kontestues i Ministrisë së Brendshme”.

“Në cilësi të Përfaqësuesit të Autorizuar, më lejoni t’iu njoftoj që sapo e pranova Vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në bazë të të cilit, është APROVUAR ankesa të cilën e kemi parashtruar dhe si rezultat, është anuluar vendimi kontestues i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe z. Kodra kthehet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent”, ka shkruar ai.

Kujtojmë që ministri Sveçla në korrik të këtij viti, kishte marrë vendim që ta lirojë Kodrën nga detyra ushtruesit të drejtorit të AME-së.

Pas shkarkimit, Kodra kishte dorëzuar kallëzim penal kundër Sveçlës,

“Personi i kallezuar, në cilësi të personit zyrtar, përkatesisht si titullar i institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundershtim me autorizimet e tij ligjore dhe legjislacionin në fuqi, ka nxjerrë Vendimin nr. 0529/2022, të datës 14.07.2022, permes të cilit, ka shfuqizuar Vendimin nr. 107/2015, të datës 13.03.2015, edhe pse në rrethanat e rastit konkret, vendimi i shfuqizuar nuk është prej vitesh në fuqi, pasi qe i njëjti është shfuqizuar ipso-jure (automatikisht) me rastin e emerimit të z. Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshem të AME-se, me Vendimin nr. 02/25 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.01.2018”, thuhej në kallëzimin penal që mban datën 22 korrik.

(Kosova Sot Online)