Pas Doarsa Kicës, kush mund të jenë 7 deputetët tjerë që kishte paralajmëruar Arben Gashi se do të largohen nga Vetëvendosje?!

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 16:16
Pas Doarsa Kicës, kush mund të jenë 7 deputetët tjerë që kishte paralajmëruar Arben Gashi se do të largohen nga Vetëvendosje?!

Para rreth dy muajsh, shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka paralajmëruar se hiq më pak se 8 deputetë të Grupit Parlamentar të VV-së pritet të kalojnë në partinë e drejtuar nga Lumir Abdixhiku.

Ndërkaq, sot është konfirmuar një pjesë e deklaratës së Arben Gashit.

Mediet kanë raportuar se deputetja e GP të VV-së, Doarsa Kica do t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, kush janë 7 deputetët tjerë që Arben Gashi kishte paralajmëruar se do të kalojnë në LDK?

Media ka provuar që të flas me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Pos Gashit, as zyrtarë tjerë të kësaj partie nuk kanë dashur të flasin në lidhje me ketë temë.

Megjithatë, media merr vesh se LDK është në kontakt me tre deputetë që konsiderohen si “autentik” të  VV-së, derisa ende nuk dihen as emrat e as detajet tjera.

Sidoqoftë, më 27 korrik, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2, pasi sipas tij në shenjë pakënaqësie, tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK.

“Në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2″, ka deklaruar Gashi, duke thënë se koha e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një qeverisje komode ka skaduar.

“Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime. Janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur në Grupin Parlamentar të LDK-së”, ka thënë Gashi.

Ndiqeni deklaratën e Gashit:

Ndërkaq, pas largimit të Doarsa Kicës nga Lista “Guxo”, ka ardhur reagimi i ministrit Faton Peci.

“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)