Politika shqiptare shpreh ngushëllimet për vdekjen e Elizabeth II: Lamtumirë Mbretëreshë

  • A.P /
  • 08 September 2022 - 20:47
Politika shqiptare shpreh ngushëllimet për vdekjen e Elizabeth II: Lamtumirë Mbretëreshë

Politika shqiptare ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta në moshën 96-vjeçare të mbretëreshës së Britanisë së Madhe Elizabeth II.

“Lamtumirë Mbretëreshë“, janë këto fjalët që Kryeministri Rama ka zgjedhur për të shprehur ngushëllimet për ikjen nga jeta të Mbretëreshës.

Presidenti Begaj shkruan se Elisabeth ishte një mbretëreshë me zemër të madhe që do mbahet mend me admirim.

“Ngushëllime të ndjera Familjes Mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Komonuellthit për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabet II. Ajo ishte një mbretëreshë me zemër të madhe, forcë e kuraje te jashtëzakonshme dhe do të kujtohet gjithnjë me respekt dhe admirim”, shkruan Begaj.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta shkruan se është i trishtuar ndërsa thekson se mbretëresha është e admiruar në mbarë botën për lidershipin frymëzues.

“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj, Elizabeth II, e admiruar në mbarë botën për lidershipin frymëzues, përkushtimin dhe angazhimin e saj të pathyeshëm! Duke vlerësuar lart kontributin e Saj të jashtëzakonshëm për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, jam i bindur se figura dhe Udhëheqja e Saj e dalluar publike dhe ndërkombëtare do të kujtohet përherë me respektin më të thellë. Ngushëllimet më të sinqerta për Familjen Mbretërore, Qeverinë dhe popullin britanik, si dhe të gjithë Komonuelthin për këtë humbje të madhe”, shkruan Meta.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj shkruan: “Ngushëllimet e mia më të thella për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II. Një grua e admirueshme, një jetë në shërbim të qytetarëve, personifikimi unik i demokracisë britanike.  Mbretëresha më jetëgjatë në historinë e Britanisë do të mbahet mend për një kohë të gjatë si gruaja që mishëroi qetësinë dhe stabilitetin në një botë të trazuar me shumë sfida. U prefsh ne paqe”, shkruan Alibeaj. 


(Kosova Sot Online)