Mbreti i ri i Britanisë Charles III dy herë kishte vizituar Kosovën si Princ i Uellsit

  • 09 September 2022 - 13:07
Mbreti i ri i Britanisë Charles III dy herë kishte vizituar Kosovën si Princ i Uellsit

Princi Charles i Uellsit që tani do të jetë Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar pas vdekjes së nënës së tij Mbretëreshës Elizabeth II kishte vizituar Kosovën dy herë, herën e parë në shtator 1999 dhe herën e dytë në mars 2016. Çifti i familjes mbretërore britanike Princi Charles dhe Dukesha Camila në vizitën e tyre para 6 vjetëve janë pritur me ceremoni të lartë shtetërore. Princi Charles tani mbret dhe Dukesha kishin takuar udhëheqësit dhe akterët tjerë politikë në Kosovë.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte dekoruar Princin britanik Charles me “Urdhërin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr. Ibrahim Rugova” për kontributin e tij jetësor në përkrahje të paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet popullit të Kosovës dhe më gjerë.

Princi britanik ishte pritur nga një numër i madh i qytetarëve gjatë qëndrimit në qytetin e Prizrenit.

Kurse, gjatë vizitës së parë të tij tij në shtator 1999, Princi Charles në uniformë ushtarake kishte vizituar trupat britanike të KFOR-it që menjëherë pas luftës numëronin rreth 10 mijë ushtarë të stacionuara në Kosovë.

Vizitën e mbretit të ri të Mbretërisë së Bashkuar Charles III e ka rikujtuar edhe Drejtori i MCC-së në Kosovë, Petrit Selimi.

Ai ka shpërndarë disa fotografi nga vizita e Princit britanik Charles më 2016 dhe shfaqjen e veprës artistike të artistit britanik Nathan Coley atëbotë në Prishtinë.

“Mbreti Charles III në Kosovë, duke parë ‘Një vend përtej besimit’ “, ka shkruar Selimi në Twitter.

Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare.

Familja e saj u mblodh në shtëpinë e saj në Balmoral të Skocisë, pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore.

Pallati mbretëror tha se “Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral këtë pasdite”.

Mbretëresha mori fronin në vitin 1952 dhe mbretëroi plot 70 vjet.

Pas vdekjes së saj, fronin e merr djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit.

Përmes një deklarate, ai tha se vdekja e nënës së tij është një moment i madh trishtimi për të dhe familjen.

Mbreti i ri do të njihet zyrtarisht si Mbreti Charles III.

Kryeministrja e re e Britanisë, Liz Truss, tha se kombi duhet të bashkohet për të mbështetur Mbretin. Ajo tha se vendi tani hyn në një epokë të re.

“Ne i ofrojmë atij besnikërinë dhe përkushtimin tonë”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)