Ambasadori britanik thirrje shqiptarëve: Mos u largoni, suksesi s’varet nga gomonet

  • E.K /
  • 12 September 2022 - 12:25
Ambasadori britanik thirrje shqiptarëve: Mos u largoni, suksesi s’varet nga gomonet

Në një kohë që numri i shqiptarëve që ikin me gomone drejt Britanisë së Madhe është në rritje, nga Kongresi Kombëtar i Arsimit, ambasadori i Britanisë së Madhe Alastair King-Smith iu ka bërë thirrje të rinjve që të mos largohen nga Shqipëria.

King-Smith teksa foli për të rinjtë që udhëtojnë ilegalisht me gomone apo rrugë të tjera transporti ilegal drejt Britanisë së Madhe, theksoi se këto janë mënyra të rrezikshme. Të rinjtë që largohen në këtë mënyrë sipas tij mund të bien pre e shfrytëzimit nga kontrabandistët për pasurim të menjëhershëm.

“Shumë të rinj largohen nga Shqipëria. Këta të rinj shfrytëzohen nga kontrabandistët, ne i nxisim që të ndalojnë. Premtimet e pasurisë së shpejtë janë gënjeshtra pasi do detyrohen të përfshihen në aktivitet kriminal dhe drogë, por këto kushte do bëhen edhe shumë të rrezikshme. Ju bëj thirrje të rinjve që mos të udhëtojnë në mënyrë të jashtëligjshme. Rruga drejt suksesit nuk varet nga gomonet, varet nga arsimi dhe puna e palodhur. Nuk mjafton që të japim argumente intelektuale. Ndaj ne do lançojmë një program për të nxitur mundësitë e punësimit të të rinjve që t’u japim aftësitë që kërkon tregu i punës”, tha Alastair King-Smith.

“Këtu kemi komunitet në zona rurale malore të thella. Por kemi edhe komunitetet të disavantazhuara në qytete që përballen me rrethana të vështira, duke shkaktuar ose braktisjen e shkollës ose mosfrekuentimin e shpeshtë të saj. Të sigurohemi që ne ju japim fëmijëve kohën edhe mundësinë për të shkuar në shkollë”.

Ambasadori foli edhe për bashkëpunimet në arsim mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë. Madje theksoi se Britania e Madhe do të financojë një program në Shqipëri për të nxitur mundësitë e punësimit të të rinjve.

“Kemi rënë dakord që duhet të nxisim angazhimet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe jam i lumtur teksa shoh këtë plan të realizuar. Shumë Universitete nga Britania e Madhe po zhvillojnë kurse këtu në Shqipëri. Së shpejti do realizojmë partneritet të ri në sistemin mjekësor me standarde britanike këtu në Shqipëri”, theksoi ambasadori i Britanisë.

(Kosova Sot Online)