KMDLNJ: Kurti ta takojë Rrahman Jasharin, palët “ndërluftuese” të gjejnë zgjidhje

  • E.K /
  • 12 September 2022 - 13:15
KMDLNJ: Kurti ta takojë Rrahman Jasharin, palët “ndërluftuese” të gjejnë zgjidhje

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka këkruar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të takohet me kryetarin e Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.

Përmes një komunikate për media, KMDLNj, thotë se ky është viti i katër që viti i ri shkollor fillon me vonesë.

Sipas tyre, duhet të bëhet një zgjidhje – e dialogu social thotë të jetë kjo zgjidhje.

Greva në arsim po vazhdon që nga 25 gushti. 

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të KMDLNj:

Që nga data 25 shtator 2022, 320,000 nxënësve të të gjitha niveleve u mohohet e drejta elementare e njeriut, e drejta për shkollim e që sipas ligjeve në fuqi për nxënësit e arsimit fillor është i detyrueshëm. Është ky viti i katërt që viti shkollor fillon me vonesë për shkak të grevave që organizohen nga SBASHK që kërkojnë kushte më të mira për mësimdhënësit. Për dallim nga grevat e mëparshme, greva e fundit ishte paralajmëruar shumë më herët dhe kërkesa e SBASHK ishte që të gjithë mësimdhënësit të marrin 100 euro shtesë. Duket se qeveria këtë kërkesë e ka marrë si  diçka që nuk mund ta realizojë duke ofruar, si zgjidhje një shtesë prej 50 eurove, deri në kohën kur të votohet Ligji për Paga e që nuk është pranuar nga SBASHK. Gabimi kryesor u qeverisë së Kosovës është se nuk e ka marrë seriozisht paralajmërimin për grevë nga SBASHK dhe, deri vonë ka kundërshtuar çdo takim apo përpjekje për bashkëbisedim me kryetarin e SBASHK,  Rrahman Jasharaj, për më keq figura kyçe në SBASHK është linçuar publikisht, është fyer në baza kombëtare dhe njerëzore nga zyrtarë qeveritarë dhe nga ata që janë të afërt me qeverinë aktuale.

Në çdo reagim, deri më sot, KMDLNj ka deklaruar se greva mbetet vetëm si zgjidhje e skajshme kur shpenzohen të gjitha mundësitë për arritje të një marrëveshjeje e që KMDLNj mendon se nuk janë shfrytëzuar këto mundësi prandaj, pa të drejtë po e pësojnë 320,000 nxënës në Kosovë si dhe familjet e tyre.

Qeveria e Kosovës, si ushtruese efektive dhe e mandatuar e pushtetit është dashur të bëjë përpjekje të vazhdueshme që të evitohet greva e jo të shpërfillë kërkesat e SBASHK për takim përkatësisht kryeministri Kurti është dashur ta takojë kryetarin e SBASHK, Rrahman Jasharaj, jo një herë por sa do të ishte e nevojshme në mënyrë që të tejkalohet situata. Refuzimi i vendosur i kryeministrit Kurti ta takojë kryetarin e SBASHK, Rrahman Jasharaj e vështirëson shumë zgjidhjen e ngërçit të krijuar aq më parë që ministrat dhe vartësit e kryeministrit nuk dalin jashtë qëndrimeve të kryeministrit madje, për më keq me një fjalor fyes dhe kërcënues e fusin çështjen në rrugë njëkahëshe, pa zgjidhje. “ Përpjekja “ e presidentes për të ndërmjetësuar ka qenë, më shumë penguese se që e ka pasur qëllimin e mirë për faktin se nuk ka qenë asnjanëse në këtë angazhim. Dhe në fund, për KMDLNj, edhe këmbëngulja e SBASHK dhe Rrahman Jasharaj se: “ ose 100 euro ose do të bëhet kijameti …” nuk është e arsyeshme për faktin se nëse kërkoni ndërmjetësim dhe zgjidhje përmes dialogut atëherë nuk duhet dhe nuk  mund të insistoni 100 % në qëndrimin tuaj. Sepse, nëse nuk ka gatishmëri për një lëshim nga pozitat fillestare pse atëherë duhet të bisedohet ? ! KMDLNj e kupton gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve të Kosovës sikur edhe të punonjësve të arsimit mirëpo, aktualisht ka kategori shumë më të rrezikuara ekonomikisht e të cilat nuk bëjnë grevë prandaj këtë duhet ta ketë parasysh edhe SBASHK.

KMDLNj kërkon që kryeministri Kurti të takohet me kryetarin e SBASHK dhe Këshillin grevist në përpjekje që të gjindet një zgjidhje, e pranuar nga të dy palët “ ndërluftuese “ qoftë edhe për një afat të caktuar, deri te një zgjidhje përfundimtare.

Fillimisht duhet të ndalet gjuha e urrejtjes, kërcënuese, degradues dhe linçuese ndaj Kryetarit të SBASHK, Rrahman Jasharaj dhe anëtarëve të Këshillit Grevist e pastaj të fillojë një bashkëbisedim mirëkuptimi mids palëve në mënyrë që nxënësit të shkojnë në shkolla.

SBASHK duhet ta ketë të qartë se, nëse paguhen edhe për ditët e munguara shkaku i grevës, orët e humbura duhet të kompensohen. KMDLNj është fuqishëm kundër vendimit diferencues që pagesa të bëhet në bazë të listave ku grevistët do të përjashtoheshin nga pagesa. Greva është e imponuar dhe jo se po bëhet për të plotësuar dëshirat e Rrahman Jasharajt apo një grupi rreth tij.

SBASHK duhet ta ketë parasysh faktin se për shkak të gjendjes së rënduar energjetike dhe kufizimeve me rrymë dhe ngrohje e që duket se do të jenë të pashmangshme, edhe procesi mësimor mund të ketë reduktime të orarit prandaj, të mos humbet shumë kohë dhe mësimi të fillojë sa më parë.

Për këtë për KMDLNj –ë përgjegjësi do të kenë dy persona me fuqi të madhe vendimmarrëse në institucionet që drejtojnë, Albin Kurti, kryeminister i Kosovës dhe Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK. Deri në kohën kur kryeministri Albin Kurti do të refuzojë ta takojë kryetarin e SBASHK, Rrahman Jasharaj, përgjegjësia e kreministrit do të jetë e pamohueshme dhe e pafalshme ndërsa, nëse realizohet ky takim dhe SBASHK do të këmbëngul 100 % në realizim të kërkesave, një pjesë e përgjegjësisë do të shkojë në adresë të Rrahman Jasharajt dhe udhëheqësve të grevës. Nëse mund të bëjnë dhe bëjnë kompromis dy shtete, pse nuk do të bënin kompromis dy institucione brenda shtetit të njëjtë!

Pasi, në vazhdimësi po flitet për një rënie të cilësisë në arsim e sidomos nga bartësit e posteve, KMDLNj propozon që të krijohet një bazë e të dhënave për institucionet arsimore ku shkollohefëmijët e bartësve të këtyre posteve e të mos derdhin lotë krokodili për gjendjen katastrofale në arsim nëse fëmijët i shkollojnë jashtë institucioneve arsimore publike.

KMDLNj thërret palët që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje dhe nxënësit të fillojnë mësimin. Ndryshe, të dyja palët do të marrin përgjegjësi për shkelje të rënda dhe serioze të të drejtave të njeriut për një arsim cilësor dhe të domosdoshëm!.

(Kosova Sot Online)