
Presidentja në drekën e Borrellit, kërkon ndihmë për vizat dhe rrymën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York, ka marrë pjesë në drekën tradicionale me krerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ku ka folur për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe krizën energjetike, duke kërkuar mbështetjen e BE-së.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, para homologëve të saj, Osmani ka ritheksuar se prej katër vjetësh, institucionet e BE-së kanë konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, për rrugën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftim.
Sa i përket raporteve me agresionin e Rusisë në Ukrainë, presidentja ka theksuar se Kosova i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe se askush në rajon nuk duhet t’i shërbejë si satelit asaj për destabilizim të rajonit.
“Në takimin e organizuar nga z.Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani, gjithashtu ka kërkuar mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër”, thuhet në fund.
(Kosova Sot Online)