Tërnava: SBASHK-u ta ndërprejë grevën, qeveria e Kuvendi ta kalojnë sa më parë ligjin për paga

  • E.K /
  • 27 September 2022 - 12:24
Tërnava: SBASHK-u ta ndërprejë grevën, qeveria e Kuvendi ta kalojnë sa më parë ligjin për paga

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një konferencë për shtyp ka bërë thirrje që të ndërpritet greva në arsim dhe ajo e shërbyesve civilë.

Tërnava para gazetarëve tha se i mbështesin kërkesat e SBASHK-ut por që ata duhet ta ndërprejnë grevën dhe kërkesat t’i adresojnë në dialog social.

“Të nderuar mësimdhënës, shërbyes civilë e ju udhëheqës sindikalë dhe qeveritarë. Kam përcjellur me vëmendje grevën, që në fillim më lejoni të shpreh mirënjohjen për punën e mësimdhënëvse. Mësuesit dhe pedagogët e kanë kryer me përgjegjshmëri të lartë. Ne mbështesim kërkesën e mësimdhënësve për pagë të dinjitetshme sepse janë mësuesit dhe edukuesit të fëmijëve tanë.Thërrasë SBASHK-un ta ndërpresin grevën dhe fëmijët të kthehen në bankat e shkollës. Poashtu thërras sindikatën e shërbyesve civilë ta ndërprejnë grevën dhe të kthehen në punë. Të drejtat e tyre sindikale t’i kërkojnë në dialogun social. Drejtuesit sindikalë në këto momente të tregohen të arsyeshëm dhe t’i kthehemi normalitetit”, tha Tërnava.

Ai i bëri thirrje poashtu edhe qeverisë dhe Kuvendit që sa më parë të miratojnë ligjin e pagave dhe t’i adresojnë kërkesat e sindikalistëve.

“I bëj ftesë qeverisë dhe kuvendit që sa më parë të miratojnë ligjin për paga dhe kërkesat e sindikalistëve të merren në konsideratë.  Mbes me shpresë që nxënësit t’i kemi në bankat shkollore dhe shërbyesit në vendin e punës”, tha Tërnava.

(Kosova Sot Online)