Nesër në Pragë lansohet projekti europian i Macronit, Kosova me fusnotë në këtë ngjarje (agjenda)

  • E.K /
  • 05 October 2022 - 15:41
Nesër në Pragë lansohet projekti europian i Macronit, Kosova me fusnotë në këtë ngjarje (agjenda)

Me 6 tetor 2022 për herë të parë do të mblidhet Komuniteti Politik Evropian, nismë kjo e propozuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në këtë takim do të marrin pjesë liderët nga e gjithë Evropa të cilët do të mblidhen në një frymë uniteti në Pragë.

Hapja e kësaj mbledhje do të fillojë në orën 13:00 të 6 tetorit, e që do të bëhet nga kryeministri i Republikës së Çekisë, Petr Fiala. Pas Fiala nga dhjetë minuta do të flasin edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky (video-lidhje), kryeministri i Norvegjisë, Gahr Store, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja britanike Liz Truss.

Pas kësaj do të ketë edhe një tryezë të rrumbullakët ku do të diskutohet për paqen dhe sigurinë dhe gjithashtu për energjinë, çështjet klimatike dhe situatën ekonomike.

Këto takimet do të mbahen nga ora 14:30 deri në 16:15.

Në tryezën e rrumbullakët që do ta drejtojë Moldavia dhe Sllovakia, do të flitet për çështje të Paqes dhe Sigurisë, tavolinë në të cilën do të jetë edhe Republika e Kosovës e cila në agjendë dhe në faqen zyrtare të Këshillit Evropian paraqitet si vend pjesëmarrës me fusnotë.

Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Brukselit, Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian

“Kjo platformë për koordinim politik nuk zëvendëson asnjë organizatë, strukturë apo proces ekzistues dhe nuk synon të krijojë të reja në këtë fazë”, thuhet në faqen zyrtare të Këshillit Evropian.

(Kosova Sot Online)