Raporti i KE-së: Serbia “ka rënie të ndjeshme” në rrugën drejt përafrimit me BE-në

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 09:44
Raporti i KE-së: Serbia “ka rënie të ndjeshme” në rrugën drejt përafrimit me BE-në

Shkalla e përafrimit të Serbisë me politikën e jashtme të përbashkët evropiane është “ulur ndjeshëm”.

Nga 64 për qind në vitin 2020, përafrimi tani ka rënë në 45 për qind.

Këto janë gjetjet e Komisionit Evropian, konkretisht të paketës së zgjerimit dhe atë të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të publikohen nesër.

Në draft-raportin, në të cilin Radio Evropa e Lirë  në gjuhën serbe raporton se ka pasur qasje, nënvizohet se Serbia nuk ka respektuar sanksionet kundër Rusisë, të cilat Bashkimi Evropian i vuri Moskës në përgjigje të agresionit në Ukrainë.

Marrëveshja me Kosovën është vendimtare dhe urgjente

Një paragraf i veçantë i referohet procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Aty përmendet se në periudhën e kaluar ka pasur një takim të kryenegociatorëve dhe një takim në nivel liderësh, përkatësisht presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Megjithatë, shtohet se nuk ka progres konkret në negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.

Përmes këtij dokumenti, Kosova dhe Serbia ftohen që “pa vonesa të mëtejshme” të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të avancojnë negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin.

Arritja e një marrëveshjeje të tillë është “urgjente dhe vendimtare”, sipas raportit, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën evropiane.

(Kosova Sot Online)