Pas takimit Kurti-Lajçak, zyra e kryeministrit paralajmëron takime të radhës mes Kosovës dhe Serbisë

  • E.K /
  • 13 October 2022 - 13:15
Pas takimit Kurti-Lajçak, zyra e kryeministrit paralajmëron takime të radhës mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur të enjten në takim emisarin e Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Zyra e kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar se pos procesit të bisedimeve të Brukselit, është biseduar edhe për takimet e radhës ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Po ashtu në këtë takim është biseduar edhe për Raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën.

“Gjatë takimit u potencua Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i pranuar dje, si dukshëm më i mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon. U tha se ky raport tregon qartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën e BE-së dhe dëshmon arritjet e shënuara në shumë fusha, që kanë kaluar një hap më lart në shkallët e progresit”.

Gjithashtu çështja e energjisë ishte çështje e takimit mes Kurtit dhe Lajçakut.

“U bisedua për çështjet aktuale, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Pas këtij takimi Lajçak ka folur për gazetarë, ku ka treguar për përfshirjen e SHBA-ve, Gjermanisë dhe Francës në çështjen e dialogut. 

(Kosova Sot Online)