Haki Abazi: Qasje e rrezikshme ndaj Kosovës nga Rama dhe Vuçiq

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 10:46
Haki Abazi: Qasje e rrezikshme ndaj Kosovës nga Rama dhe Vuçiq

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, në konferencën e së premtes, ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ndaj Kosovës.

Ai ka përmendur fjalimin e tij të fundit në Këshill të Europës , duke thënë po bëhet avokat i politikanëve që kanë humbur zgjedhjet në Kosovë dhe po gjykohen nga një mekanizëm që e kanë ngritur vetë.

“Nga naivitet politik vazhdon ta bëjë prioritet marrëdhënien me Vuçiqin kundrejt mbështetjes së Kosovës. Nuk mund ta lëmë fatin e Kosovës duke goditur dikush çdo ditë, përfshirë edhe kryeministrin Rama”.

Kjo s’do të thotë që qëndrimi i Ramës e ndikon marrëdhënien e njerëzve dhe jetën e përditshme mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky proces është i pandalshëm pavarësisht qëndrimeve që mund të ketë cilido kryeministër, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri. Populli ynë ka filluar të ndërtojë marrëdhënia edhe më të forta”.

Abazi tha se nisma Ballkani i Hapur është në një vdekje klinike dhe procesi i Berlinit po riaktivizohet, duke e konsideruar këtë si një lajm fantastik.

Duke mos dashur të komentojë deklaratat e zëvendëskryeministrit nga partia e tij, Besnik Bislimi, Abazi kritikën e adresoi prapë të ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak.

“Ai as edhe për të mirë s’duhet të flasë sa i përket liberalizimit të vizave”, tha Abazi për Lajçakun, të cilin e akuzoi se i ka përdorur të gjitha mënyrat e mundshme, përfshirë edhe vizat, që të ushtrojë trysni mbi Kosovën.

“Fakti që dje ishte këtu në një vizitë të paparalajmëruar kur atje diskutoheshin vizat është gabim në mesazhin që jep kjo vizitë”.

(Kosova Sot Online)