Escobar vizatoi marrëveshjen Kosovë- Serbi që duhet të arrihet brenda javësh, topi tash te Kurti e Vuçiq

  • E.K /
  • 20 October 2022 - 09:21
Escobar vizatoi marrëveshjen Kosovë- Serbi që duhet të arrihet brenda javësh, topi tash te Kurti e Vuçiq

Ndërkombëtarët presin që brenda javësh të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar qëndroi në Prishtinë gjatë së mërkurës, ndërsa foli më hapur se kurrë për këtë marrëveshje, përmbajtja thelbësore e së cilës duket se është përgatitur tashmë.

Vizitat e Escobarit në Presidencë e më pas në Kryeministri dje në mëngjes u përcollën me interesim të madh nga gazetarët, para të cilëve diplomati amerikan foli veç dy minuta. Më pas, në një intervistë konfirmoi ekzistimin e propozimit franko-gjerman, ndërsa bëri të ditur se po presin që Kosova e Serbia ta marrin seriozisht atë dhe të përgjigjen pozitivisht. Siç tha Escobar, bëhet fjalë për “një marrëveshje për rrugën përpara”, për të cilën tha se kishte dëgjuar nga kolegët europianë se duhet të arrihet brenda javësh.

“Prandaj, përtej kësaj, u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke pasur parasysh kontekstin e asaj që po ndodh, të gjithë duhet të ngrihen dhe të marrin përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon. Ne do të donim ta shihnim Kosovën që të rreshtohet më shumë sa i përket çështjeve të stabilitetit rajonal dhe kjo është mënyra se si mund ta bëjnë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksnadar Vuçiq e kanë marrë propozimin e Francës dhe Gjermanisë për këtë marrëveshje. Escobar tha mbrëmë se SHBA-ja e mbështet këtë propozim dhe i porositi Kosovën dhe Serbinë që ta marrin seriozisht atë.

“Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht të Serbisë, në integrimet euroatlantike”, ka thënë Escobar.

Vuçiq kishte folur më në detaje për këtë propozim, duke thënë se propozimi franko-gjerman përmban anëtarësimin e Kosovës në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në BE.

Për këtë, Escobar u kujdes të theksonte se SHBA-ja e ka përkrahur gjithmonë njohjen e Kosovës si shtet, duke thënë se “do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat e tjera europiane”.

Ndonëse ky propozim nuk përmban njohjen reciproke, Escobar tha se ajo “do të ndodhë”.

“Çështja është koha se kur do të ndodhë. Por, ajo që është më e rëndësishme për Kosovën është që të nisë një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike, duke përfshirë edhe njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së”, ka thënë ai.

Escobar gjithashtu tregoi se kanë kërkuar që Kosova të shtyjë për dhjetë muaj afatin për riregjistrimin në RKS të automjeteve që mbajnë targa që lëshohen nga Serbia.

Kryeministri Kurti ishte pyetur rreth propozimit franko-gjerman në një konferencë të përbashkët me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog më 12 tetor, pasi e kishte pranuar Raportin e Komisionit Europian për vendin për vitin 2022.

“Ka diskutime, ka opsione, ka teste e sprova, por nuk mund të them që ka diçka të ngurtësuar që do ta prezantonim në formë përfundimtare”, kishte thënë Kurti.

Paraprakisht, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte zhvilluar biseda të ndara telefonike me të dhe Vuçiqin për intensifikimin e dialogut.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ishte gjithashtu në Prishtinë më 13 tetor, dhe pas takimit me Kurtin kishte thënë se dy shtetet nuk duhet ta shpërdorojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

(Kosova Sot Online)