32 vjeçarit shqiptar i pushoi zemra në stacion? Policia thotë se vdiq në spital

  • A.P /
  • 20 October 2022 - 15:49
32 vjeçarit shqiptar i pushoi zemra në stacion? Policia thotë se vdiq në spital

Dy versione të ndryshme janë dhënë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore dhe Spitali i Traumës në lidhje me vdekjen e 32 vjeçarit Lear Kurti mbrëmjen e djeshme pasi u shoqërua në komisariatin numër 3 nga policia.

Në deklaratën e saj sot, AMP tha se 32 vjeçari ishte dërguar në spital pas shqetësimeve në gjendjen shëndetësore dhe ka humbur jetën aty. Nga ana tjetër Spitali i Traumës ka deklaruar se i riu ka mbërritur në ambientet e spitalit i vdekur.

Informacioni i AMP

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L. K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.

Si ndodhi ngjarja

32-vjeçari ka zbritur nga makina e mikut të tij pranë Spitalit Ushtarak. Në momentin që ka zbritur, ka konstatuar një patrullë të policisë. Kjo e fundit i ka kërkuar dokumentet e identifikimit por i riu ka vrapuar. Efektivët i janë vënë në ndjekje deri në momentin kur e kanë ndaluar në rrugën Don Bosko për ta shoqëruar më pas në komisariat. I riu ka filluar të ndjehet keq dhe disa minuta pas mbërritjes në Komisariatin nr.3 gjendja e tij është përkeqësuar. Efektivët e policisë e kanë çuar te Trauma, ku sipas tyre aty ka ndërruar jetë. Kurse spitali thotë se te Trauma ka shkuar i vdekur.

Artur Kurti babi i 32-vjeçarit akuzon policinë se i ka mbytur djalin. Ao është shprehur se ka gjithë natën që qëndron jashtë morgut dhe se nuk ka marrë asnjë shpjegim.

(Kosova Sot Online)