Dekani i Juridikut që u akuzua për plagjiat: Hasani po shpifë, do t’i ndjek rrugët ligjore kundër tij

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 11:48
Dekani i Juridikut që u akuzua për plagjiat: Hasani po shpifë, do t’i ndjek rrugët ligjore kundër tij

Akuzave të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani se doktorata e Dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka është mbi 50% plagjiaturë, i është përgjigjur vetë dekani. Sipas Pukës, deklarimet e Hasanit janë shpifje, duke paralajmëruar se për këto akuza do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore.

Në reagimin e tij, Puka thotë se profesori Enver Hasani nuk e ka diskutuar këtë çështje asnjëherë të vetme në fakultet e as në Këshill, ku sipas tij Hasani me muaj të tërë nuk merrë pjesë.

“z. Hasani, për ketë  çështje as që ka diskutuar njëherë të vetme ne Fakultet, Këshill të Fakultetit (ku me muaj të tërë ai as nuk merr pjesë). Por për deklarime të tilla, shfrytëzon dhe abuzon hapësirën publike mediale, për të bërë akuza të ulëta dhe të pabaza, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj një kolegeje të respektuar, sikurse ka vepruar edhe me shumë kolegë të tjerë për vite të tëra”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.

Reagimi i tij i plotë:

Dje jam njoftuar se Enver Hasani, profesor pranë Fakultetit Juridik të UP-së, përveç tjerash, ka bërë akuza për plagjiaturë edhe ndaj meje, sikurse edhe ndaj një profesoreshe, kolege të respektuar të fakultetit. Si profesor, dhe në cilësi personale, i demantoj ashpër këto akuza dhe e siguroj opinionin e gjerë publik, që deklarimet e tilla janë shpifje, hapje thashethemesh dhe fyerje.

Çdo pretendim do të mund dhe do të duhej të adresohej në rrugën institucionale nëpërmjet mekanizmave të paraparë, por pa i cenuar vlerat dhe imazhin e Universitetit, Fakultetit Juridik dhe pa i denigruar dhe fyer kolegët pa asnjë argument të vetëm. Për akuzat ndaj integritetit tim akademik dhe shkencor, nuk kam asnjë problem, sepse doktoratura ime është produkt i punës time dhe përkushtimit disa vjeçar (e verifikuar nga komisione, mekanizma e profesorë me kredenciale akademike). Por megjithatë, për shkak të akuzave publike, këtë çështje do ta adresoj tek autoritetet kompetente, për të provuar një gjë të tillë.

Andaj, shumë shpejt këto akuza denigruese dhe të pabaza do të dëshmohen si të pavërteta dhe se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për vendosje dhe rivendosje të drejtësisë. 

z. Hasani duhet ta dijë se si funksionon një institucion dhe cila është mënyra e adresimit të çfarëdo pretendimi. Por ai ka zgjedhur median, të pavërtetën dhe një paraqitje shumë kaotike për të bërë akuza të pabaza dhe për të shprehur urrejtjen e tij personale. Ai asnjë herë nuk ka ngritur pretendim të tillë në mënyrë institucionale, nuk ka ndjekur asnjë procedurë dhe nuk ka asnjë bazë. Pra, i ka dhënë të drejtën vetës që ta bëjë gjyqin publik.

z. Hasani, për ketë  çështje as që ka diskutuar njëherë të vetme ne Fakultet, Këshill të Fakultetit (ku me muaj të tërë ai as nuk merr pjesë). Por për deklarime të tilla, shfrytëzon dhe abuzon hapësirën publike mediale, për të bërë akuza të ulëta dhe të pabaza, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj një kolegeje të respektuar, sikurse ka vepruar edhe me shumë kolegë të tjerë për vite të tëra.

Në cilësi të Dekanit të Fakultetit Juridik, do të vazhdoj të ruaj integritetin e fakultetit dhe të kolegëve, dhe asnjë formë shantazhi nuk do të na zmbrapsë nga reformat dhe luftimi i dukurive negative në fakultet. Unë jam plotësisht i gatshëm dhe i hapur që të zbardhim çdo pretendim, por në të njëjtën kohë zotohem se nuk do ta tolerojmë instalimin e fyerjeve te pabaza dhe të shantazhit si mënyrë të funksionimit në fakultet juridik. Për këtë qëllim do të përdorim çdo mjet të lejueshëm ligjor dhe institucional.

Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, në “Pressing” të T7 ka folur për shkarkimin e Naser Sahitit nga pozita e rektorit të UP-së, emërimin e ushtrueses së detyrës së rektores Luljeta Plakolli dhe për dekanin e Fakultetit Juridik.

Hasani e akuzoi për plagjiaturë dekanin e Juridikut, Avni Puka.

Ai tha se si “u zhgënjye” nga Puka, derisa tregoi se “e ka këqyrë profilin psikologjik” të tij.

“Pas kërkesës së dekanit, kur është zgjedhë dekani kam besu që do të bëhet një lloj fryme pak më ndryshe dhe kam qenë instrumental në ardhjen e tij aty, po kjo ndërhyrje ishte shqetësimi im i parë. E dyta para 3-4 muajsh krejt thanë është duke u bërë një reformë. Disa kolegë të ri më thirrin, më thojnë po dojnë me ma hjekë lëndën dhe unë i thashë që kjo është logjikë e rrugës… Ajo ishte zhgëjimi im përfundimtar që më çoi mu me këqyrë profilin psikologjik siç e kam pasë bërë me rastin Lumezi…. E këqyra njëherë doktoratën e tij dhe rezulton, pas një analize 2-3 muj, doktoratën e tij për përgjegjësinë penale. Përmbi 50 për qind plagjiat brutal, e disa autorëve shqiptarë, nuk ka rëndësi kush”, tha Hasani në “Pressing”.

Gjithashtu, profesori universitar Enver Hasani e akuzoi edhe Luljeta Plakollin për “nivel të ulët dhe plagjiat” në punimin e saj për doktoraturë.

Me anë të një reagimi në profilin e saj në Facebook, Pakolli-Kasumi deklaroi dje se disertacioni i doktoratës së saj është vepër e “pastër intelekutuale” e saj.

Ajo tha se i qëndron prapa çdo shkronje që ka shkruar në punimin e doktoratës.

Tutje, Plakolli-Kasumi theksoi se bashkë me avokatin e saj është në diskutime për të shikuar mundësitë e saj ligjore të mbrojtjes së dinjitetit profesional dhe njerëzor.

Ajo është shprehur e gatshme që të përballet me çfarëdo vlerësimi mbi punimin e saj të doktoratës.

(Kosova Sot Online)