
Kurti e bën sefte me Bislimin, edhe qeveritë tjera kishin dërguar zyrtarë në Beograd

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të qëndrojë në Beograd për dy ditë për të marrë pjesë në një diskutim për integrimet europiane dhe në Konferencën e Sigurisë. Bislimi, që është edhe shefi i ekipit negociator të Kosovës në bisedimet me Serbinë, do të jetë zyrtari më i lartë i Kosovës që do të realizojë vizitë në kryeqytetin serb, meqë në të kaluarën të paktë ishin zyrtarë nga Kosova që shkuan atje.
E para vizitë, e që u cilësua si historike, ishte shkuarja e Enver Hoxhajt i cili në atë kohë mbante pozitën e kryediplomatit. Në fund të tetorit të vitit 2014, Hoxhaj kishte udhëtuar drejt Beogradit për të marrë pjesë në konferencën rajonale ku pjesëmarrës ishin ministrat e jashtëm dhe të ekonomisë të vendeve të rajonit. Bashkë me të Kosovës, atëherë mori pjesë edhe delegacioni i Shqipërisë.
Edhe më historike do të ishte nëse ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të kishte pranuar një ftesë që iu bë për të shkuar në Beograd në po këtë muaj të 2014-ës. Por, atë kohë Jahjaga kishte refuzuar ftesën e Komisionit Trilateral Europian për të marrë pjesë në konferencën që do të mbahej në Beograd për arsye të gjendjes politike që ishte atëherë në vend.
Përveç Hoxhajt në Beograd, më herët, kishte shkuar edhe Ilir Deda në cilësinë e këshilltarit të Jahjagës.
Së voni, para disa muajsh Bislimi udhëtoi me Ministren e Arsimit Arbërie Nagavci deri në Preshëv, por jo edhë më tej. Vizitat e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë në territorin e njëra-tjetrës shpesh ishin problematike. Dy shtetet kishin rënë dakord në Bruksel për vizitat e zyrtarëve të lartë, marrëveshje e cila hyri në fuqi që nga janari i vitit 2014.
Por, kjo jo shpesh gjeti zbatim në praktikë.
Autoritetet e Serbisë i refuzuan një vizitë në Novi Pazar Behgjet Pacollit, i cili atëherë mbante postin e ministrit të Jashtëm. Ai ishte ftuar për të marrë pjesë në një konferencë dyditore të Këshillit Kombëtar Boshnjak të Serbisë që zhvillohej në Novi Pazar, në korrik të 2018-ës.
Sidoqoftë, zyrtarë të lartë të Kosovës kanë realizuar vizita te shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe gjithashtu edhe zyrtarë serbë në pjesë të ndryshme të Kosovës.
Besnik Bislimi të enjten do të jetë folës kryesor në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, ku do të diskutohet për integrimin evropian të Kosovës dhe rajonit, konfirmoi qeveria e Kosovës.
Sipas njoftimit nga Forumi, Bislimi do të marrë pjesë në diskutimin në kuadër të “Dialogut Diplomatik” me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”.
“Qëllimi kryesor i diskutimit është vështrimi i gjithanshëm i situatës, sfidave (mundësive të favorshme, por edhe pengesave) për përmirësimin e procesit integrues në BE të Kosovës dhe rajonit”, njofton Forumi.
Në diskutim janë të ftuar përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare me seli në Serbi, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Serbisë, partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, ekspertë dhe personalitete të njohura publike.
Gjithashtu, të premten, më 28 tetor, zëvendëskryeministri Bislimi do të marrë pjesë në Konferencën e Beogradit te Sigurisë, në një panel kushtuar dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Njëzet e tre vjet pas përfundimit të luftës dhe gati dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, duket se përfundimi i çështjes së Kosovës nuk është në dukje”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të Qendrës së Beogradit për Politika e Sigurisë.
Besnik Bislimi shkon në Beograd vetëm pak ditë para afatit për regjistrimin e automjeteve në targa RKS.
(Kosova Sot Online)