Ambasadori gjerman: Pajtohem plotësisht, kosovarët e meritojnë liberalizimin e vizave

  • E.K /
  • 27 October 2022 - 10:12
Ambasadori gjerman: Pajtohem plotësisht, kosovarët e meritojnë liberalizimin e vizave

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është pajtuar me deklarimet e raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, se kosovarëve duhet t’u liberalizohen vizat dhe se pritja duhet të marrë fund.

Rohde një gjë të tillë e ka shprehur në llogarinë e tij zyrtare në ‘Twitter’, ku ka mbështetur deklarimin e Von Cramon për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Pajtohem totalisht”, thuhet në postimin e ambasadorit gjerman.

“Procesi i liberalizimit të vizave do të finalizohet. Shpresojmë se do të kemi një datë kur do të ndodhë liberalizimi i vizave. E pashë që kjo ishte për herë të parë në agjendën e grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian, të enjten e kaluar. Ende nuk është marrë një vendim i qartë, do të ketë një votim tjetër nga mesi i nëntorit ose në fillim të dhjetorit”, deklaroi Von Cramon.

“Prapa skenave, ne po punojmë shumë për të parë vendim pozitiv [për vizat]”, shtoi ajo.

Në vitin 2018, Komisioni Evropian konstatoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka propozuar liberalizimin e vizave.

(Kosova Sot Online)