Kica-Xhelili: Është e pakuptimtë sesi me kaq qetësi po trajtohen kritikat amerikane ndaj Kosovës

  • E.K /
  • 01 November 2022 - 11:50
Kica-Xhelili: Është e pakuptimtë sesi me kaq qetësi po trajtohen kritikat amerikane ndaj Kosovës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se është e pakuptimtë sesi po pranohen me kaq qetësi kritikat e Departamentit të Shtetit Amerikan.

Ajo përmes një postimi i është referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim gradual të vendimit të targave, e jo të ketë shtyrje siç ka kërkuar SHBA-ja dhe BE-ja.

“Një delegacion amerikan me 25 kompani biznesi shkojnë në zyrën e Vuçiq.  Ku është diplomacia dhe lobimi i institucioneve tona”, ka thënë ajo.

“Qetësia me të cilën po i pranojmë kritikat nga Departamenti i Shtetit Amerikan është e pakuptimtë. E njëjtë heshtja lidhur me to”.

Po ashtu ajo ka thënë se sekretari amerikan Antony Blinken vazhdimisht e përmendte njohjen reciproke.

“Kur Blinken përmendi njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, ky togfjalësh përmendej gati në çdo fjalim politik, gati në tentativë të legjitimimit të miqësisë”.

“Por kur sot shprehet zhgënjim me qasjen tonë, ajo që bëhet euforike është heshtja, por me çfarë kosto? Në këmbim të çkaje? Letrave qortuese pa efekt praktik me kosto të lëndimit të raportit me aleatët tonë kyq”, ka thënë ajo. 

(Kosova Sot Online)