“Akte qyqare dhe kriminale”, “Srpska të shpjegojë se në Kosovë përdoren targa të Kosovës”

  • E.K /
  • 02 November 2022 - 14:20
“Akte qyqare dhe kriminale”, “Srpska të shpjegojë se në Kosovë përdoren targa të Kosovës”

Dy diplomatët e akredituar në Kosovë, ai i SHBA-së Jeff Hovenier dhe gjerman Jorn Rohde, pos kërkesave për Kryeministrin Kurti që të shtyhet afati për regjistrimin e targave kanë reaguar edhe për ato që po ndodhin në Veri. Rohde iu ka drejtuar në mënyrë eksplicte përfaqësuesve serbë (Listës Srpska),  që t’u tregojnë qytetarëve atje se në Kosovë duhet të përdoren tabela të Kosovës, ndërsa Hovenier i ka quajtur akte kriminale djegien e veturave të atyre që po i konvertojë tabelat në RKS.

Qeveria e Republikës së Kosovës kishte vendosur që të implementonte masën e reciprocitetit ndaj Serbisë për dokumentet e hyrje daljeve dhe gjithashtu kishte vendosur që të mos lejonte shfrytëzimin e targave ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Për një vendimit të tillë të Kurtit ka pasur reagime të shumta të serbëve në veri të Republikës së Kosovës të cilët kontrollohen plotësisht nga regjimi i Aleksander Vuçiqit në Beograd.

Strukturat kriminale që vazhdojnë të funksionojnë në atë pjesë të dirigjuara nga i sanksionuari Milan Radojiçiq ishin armatosur natën e 31 korrikut dhe gjithashtu paralajmëronin se do t’i rikthenin bllokadat nëpër rrugë si kundërshtim për vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kjo kishte bërë që të ndërhynte me urgjencë ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, i cili në orët e mbrëmjes së 31 korrikut i ka shkuar në zyrë Kurtit për t’i kërkuar shtyrjen e vendimit për 1 muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Më 27 gusht në Bruksel Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për çështjen e hyrje-daljeve nëpër kufij vetëm me letërnjoftime, ndërkohë për targat s’kishte pasur ndonjë zgjidhje.

Si rezultat i kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte vendosur në dispozicion të serbëve që jetojnë në Republikën e Kosovës një afat dy mujor për regjistrim të veturave të tyre me targa të Republikës së Kosovës. Mënyra e regjistrimit ishte lehtësuar tepër shumë dhe ishte hequr barra financiare për ata që heqin targat ilegale dhe kalojnë në tabela të Republikës së Kosovës.

Përgjatë kësaj periudhe 2 mujore numri i atyre që i kanë regjistruar veturat me RKS është shumë i vogël, ndërkohë kanë ndodhur edhe djegie të veturave që i kanë kthyer targat si shenj presioni dhe kërcënimi nga Serbia.

Duke qenë se serbët në veri të Republikës së Kosovës kërcënonin përsëri me tensionim të situatës edhe në prag të 31 tetorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar përsëri nga Kurti që të shtyjë vendimin për targat edhe për 10 muaj.

Një kërkesë e tillë është refuzuar nga Qeveria e Kosovës e cila ka dalë me një modalitet për implementimin e vendimit në disa faza. Deri me 21 nëntor do të jetë faza e qortimit. Pas kësaj date deri me 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobës prej 150 euro, ndërkohë në një periudhë tre mujore deri me 21 prill do të mundësohet përdorimi i targave provuese. Pas kësaj periudhe s’do të lejohet kurrfarë targe ilegale brenda territorit të Kosovës.

Ky vendim i Kosovës për të mos dëgjuar kërkesën e aleatëve ka shqetësuar dhe zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kërkojnë në vazhdimësi një shtyrje të plotë të vendimit siç është kërkuar.

Nga Gjermania ndërkohë e kanë parë si një vendim që vendos një paqe afat shkurtër, megjithatë njëjtë si amerikanët kërkojnë zgjatjen e vendimit për shtyrje siç është kërkuar për shkak të momentumit të krijuar në dialog dhe angazhimit franko-gjerman.

Të hënën ka pasur edhe një reagim të ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili ka kërkuar nga përfaqësuesit e Listës Serbe që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në de-eskalimin e situatës.

Rohde ka thënë se një gjë e tillë mund të bëhet duke ua shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin që në Kosovë duhet të shfrytëzosh targat e Kosovës.

Një ditë pas këtij reagimi të Rohde, në veri të Republikës së Kosovës është djegur edhe një veturë tjetër që ka kthyer targat në RKS. Kjo ka nxitur reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili e ka quajtur një akt qyqar dhe kriminal.

Hovenier ka ritheksuar kërkesën amerikane për shtyrje të vendimit prej 12 muajsh, derisa ka ritheksuar edhe një herë që Kosova ka të drejtë të implementojë vendimin për ndryshimin e targave.

(Kosova Sot Online)