Prokuroria nis hetimet për rrahjen brutale të të moshuarës në Pejë, ndalohen për 48 orë dy vajza

  • E.K /
  • 02 November 2022 - 15:39
Prokuroria nis hetimet për rrahjen brutale të të moshuarës në Pejë, ndalohen për 48 orë dy vajza

Prokuroria Themelore në Pejë, njofton se pas publikimit të video incizimit në rrjetet sociale të sulmit ndaj një gruaje të moshuar në shtëpinë e të moshuarave në Pejë, ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmerren masat e nevojshme ligjore ndaj personave që kanë kryer këtë vepër penale.

Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e dy vajzave, të dyshuara për rrahjen e të moshuarës. Teksa të njëjtat me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Dy prokurorët e shteti dhe Policia e Kosovës në vendin ku dyshohet së është kryer vepra penale, kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit  janë ndaluar  për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi””, njofton prokuroria.

Tutje, në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësinë e paraqitjes së kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe “gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.

Pamjet çnjerëzore teksa rrahet e moshuara mund t’i shikoni në videon më poshtë.

“Prokuroria Themelore në Pejë, për veprimet e ndërmarra rreth kësaj çështje penale do të njoftojë me kohë opinionin publik”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)