Ku u trajtuan politikanët kosovarë kur u bëri vaki të sëmuren?

  • E.K /
  • 03 November 2022 - 14:52
Ku u trajtuan politikanët kosovarë kur u bëri vaki të sëmuren?

Gjendja e rëndë e institucioneve publike shëndetësore në vend dëshmohet sa herë që ndonjë prej politikanëve përballet vetë me probleme shëndetësore. Në vend të QKUK’së, shumica zgjedhin spitale private. I fundit rast është ai i Presidentes Vjosa Osmani. Por, kush janë politikanët që u trajtuan jashtë institucioneve të shtetit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është nënshtruar mbrëmë një intervenimi kirurgjik. Këtë operacion, Osmani ua besoi mjekëve të një spitali privat dhe jo atyre të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Presidenca e mbajti të fshehur këtë, derisa kur filluan të raportonin mediat.

Pasi gazetarët shkuan para spitalit, Zyra e Presidentes doli me një njoftim.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, u tha në njoftim.

Përgjegjësitë e Presidentes, ajo i kaloi te Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca”.

Ajo pritet që prej sot të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës

“Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamental për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë”, thuhet në njoftim.

Anashkalimi që Presidentja i bëri Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe zgjedhja e spitalit privat për këtë ndërhyrje, i ka prekur shumë kirurgët e këtij institucioni. Për ta, është i papranueshëm ky veprim i të parës së shtetit.

Nga ky kolegjium kanë deklaruar se intervenimi që i është nënshtruar Osmani, bëhet në QKUK qe 23 vjet, me përqindje suksesi 99.9 për qind.

“Në bazë të informatave nga mediat, presidentja iu është nënshtruar një procedurës e cila në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale është rutinë ditor që nga 12 nëntori 1999 me përqindje të suksesit 99.9 %. Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë kolegjiumit të Kirurgëve e në veqanti institucionit mbi të cilat udhëheq është e papranueshme për të gjithë”, thuhet në reagim.

Në fund, kirurgët kanë bërë thirrje që raste të tilla të mos përsëriten.

Osmani s’është e para që zgjedh spital privat, para atij të Shtetit.

Ish-kryeministri Isa Mustafa, ishte shtrirë në një spital privat në Prishtinë, pas disa problemeve shëndetësore me të cilat përballej. Kjo kishte ndodhur në fillim të vitit 2018, kur i njëjti ishte edhe në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas trajtimit në këtë spital, Mustafa ishte dërguar për trajtim në Gjermani.

Edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu e kishte zgjedhur një spital privat në vend të QKUK’së.

Në vitin 2017, Sejdiu i ishte përkeqësuar gjendja dhe i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike në zemër.

Atij i ishte vendosur një arterie koronare, ose siç njihet ndryshe “by-pass”.

Kush e zgjodhi QKUK’në?

Për dallim prej Osmanit, Mustafës e Sejdiut, disa prej politikanëve adresë të parë për problemet shëndetësore, e kanë pasur Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

I fundit është Kryeparlamentari Glauk Konjufca. Pas një lëndimi në këmbë, ai është trajtuar në QKUK.

Para këtij, aty është trajtuar edhe ish-Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi. Në qershor të këtij viti, Latifi i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik nga apendiciti apo siç njihet ndryshe “zorra qorre”.

Por, edhe Latifi kishte pasur disa kërkesa. Edhe pse kishte një ekip kujdestar, ai e kishte zgjedhur vetë mjekun që do ta operonte, i cili atë natë ishte në pushim.

Përveç mjekut, kishte zgjedhur edhe dhomën.

Intervenim kirurgjik në QKUK kishte kryer edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi.

Në prill të vitit 2020, ai i ishte nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik, pas shqetësimeve shfaqura nga gurët në veshkë. Pas ndërhyrjes, Thaçi ishte shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë dhe në tërë SHSKUK-në.

Gati një vit para Thaçit, trajtim në Qendrën Klinike dhe Univeristare të Kosovës kishte marrë edhe tash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pas daljes nga spitali, Kurti kishte falenderuar mjekët e infermierët e Klinikës Infektive dhe të Emergjencës, duke thënë se ndihej i sigurtë me ta.

“I falënderohem mjekëve dhe infermiereve në Klinikën Infektive si dhe në atë të Emergjencës në QKUK. Ishin mbi 50 orë të vështira por ndjehesha i sigurt me ta. Ju falënderohem edhe të gjithë juve që më keni dërguar mesazhe inkurajuese”, shkruante atëherë Kurti.

(Kosova Sot Online)