Dy propozime në tavolinë me Emmanuel Macronin, pritet takimi Albin Kurti – Aleksander Vuçiq në Paris

  • E.K /
  • 10 November 2022 - 10:00
Dy propozime në tavolinë me Emmanuel Macronin, pritet takimi Albin Kurti – Aleksander Vuçiq në Paris

Me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja, Vjosa Osmani do të marrin pjesë në Forumin e Paqes, krahas liderëve të tjerë botërorë e udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se gjatë qëndrimit atje, mund të ketë edhe një takim edhe me presidentin e Serbisë,  Aleksander Vuçiq, i cili po ashtu është ftuar atje, përcjell "Kosova Sot Online".

“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë, i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtë-anëtarësh nga Kryeministria. Jam i gatshëm sepse i përgatitur dhe gjithnjë i interesuar për dialog për marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, tha Kurti.

“I kemi dy propozime në tavolinë. Ai i imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit sivjet në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online)