Vrasja në Prishtinë, reagon Halimi: Dita e vetëdijësimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë

  • E.k /
  • 25 November 2022 - 11:56
Vrasja në Prishtinë, reagon Halimi: Dita e vetëdijësimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi përmes një shkrimi ka reaguar për vrasjen e gruas 63 vjeçare ku dyshohet se u vra nga bashkëshortit i saj, 70 vjeçar në Prishtinë.

Halimi ka shkruar se pikërisht në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave është vrarë një grua, shkruan "Kosova Sot Online".

Postimi i plotë:

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për atë se edhe sa shumë duhet të bëjmë si shoqëri për të arritur barazinë gjinore; pikërisht sot, në Prishtinë, vritet një grua në familjen e saj.

Në një vend ku gratë dhe vajzat shihen si objekte, në shërbim, të disiplinuara dhe të kontrolluara nga burrat; në një kohë kur rastet e dhunës, dhunimit dhe privimit nga jeta të grave, janë bërë rëndomtësi e përditshmëri, nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur gjysma e popullatës shtypet dhe diskriminohet. Të gjithë duhet të vetëdijesohemi për rëndësinë e gjuhës që shprehim, për qëndrimet tona karshi grave dhe vajzave, ngase pa eliminimin e patriarkalizimit të përbrendësuar nuk mund t'i ndryshojmë veprimet!

(Kosova Sot Online)