Bislimi: Deri në mars duhet arritur marrëveshja për normalizim

  • E.K /
  • 30 November 2022 - 13:44
Bislimi: Deri në mars duhet arritur marrëveshja për normalizim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka treguar se do të mbajë takim virtual të mërkurën me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Bislimi, tutje ka potencuar se shumë shpejt pritet të ftohet takim i krerëve të shtetit, transmeton "Kosova Sot Online".

“Sa i përket takimeve të radhës në Bruksel, do të ketë. Kam takim online sot me z. Lajçak, për të biseduar për hapat e radhës e të definojmë. Shumë shpejt pritet të ftohet takim i krerëve të shtetit, është zotim i Brukselit, që deri mars të vitit 2023 të përfundohen negociatat për normalizim. Kjo thuhet sipas dakordimit të arritur. Nuk është dakordim, por është deklaratë e lëshuar nga z. Borrell, mbi atë që kanë biseduar palët në Bruksel. Sipas asaj, duhet prodhuar marrëveshje normalizimi deri mars të vitit 2023”, tha Bislimi në Komision për Integrime.

“Është proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. Tjetër kishte Franca, tjetër kishte Belgjika, e krejt tjetër kishte Holanda. I kemi trajtuar më pas këto probleme. Para se të bëhet rivlerësimi, apo rifreskimi i raportit të vitit 2018, kemi furnizuar Komisionin Evropian me një dokument 30 faqe për statistikat në secilën fushë në udhërrëfyesin për vizat”, tha Bislimi.

(Kosova Sot Online)