A ka një proces paralel për t’ia siguruar Kosovës pesë njohjet nga vendet e BE’së?

  • E.K /
  • 02 December 2022 - 14:14
A ka një proces paralel për t’ia siguruar Kosovës pesë njohjet nga vendet e BE’së?

Zëvendës ndihmës Sekretari Gabriel Escobar, është pyetur se nëse në kontekst të dialogut Kosovë-Serbi,  po zhvillohen negociata me shtetet anëtare të BE’së që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë.

Escobar është përgjigjur se janë në diskutime, sa i përket kësaj çështje, transmeton "Kosova Sot Online".

“Kemi kontakte të shpeshta dhe diskutime konstante me pesë vendet jo njohëse për të parë se si mund të ndihmojmë ato që të ecin përpara në procesin e njohjes” ka theksuar diplomati amerikan.

“Kosova është shtet i pavarur, nuk shtrohet çështja për statusin e saj, por për njohjen e statusit ekzistues dhe shumica e qeverive e dinë këtë. Ka presion, veçmas presion ekonomik, për disa prej tyre që të fillojnë ta shohin këtë rajon dhe ata nuk munden të bëjnë këtë, të angazhohen plotësisht si ekonomi nëse nuk i njohin të gjithë si të barabartë” ka theksuar zyrtari i Departamentit të Shtetit.

“Mendoj se krijimi i një rruge europiane që do ta ndiqnin dy vendet duke arritur marrëveshjen reciproke ligjërisht obligative mbi marrëdhëniet e tyre definitivisht do t’i hapë dyert për më shumë njohje. Edhe nëse nuk i marrim 5 njohje, nuk besoj se do të ketë bllokada për Kosovën për t’iu bashkuar institucioneve si PfP (Partneriteti për Paqe, eventualisht NATO’s, Këshillit të Europës dhe strukturave tjera ku ajo meriton të jetë” ka deklaruar Escobar.

(Kosova Sot Online)