Ja çka po kërkon LDK nga Qeveria

  • A.P /
  • 11 December 2022 - 15:49
Ja çka po kërkon LDK nga Qeveria

E shqetësuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit, është shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës në një reagim publik, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës. Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Reagimi i plotë i LDK-së:

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.

Sulmet ndaj institucioneve të Republikës, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, si dhe barrikadimi dhe mbyllja e rrugëve janë veprime që cënojnë rendin kushtetues të Republikës prandaj si të tilla ato janë të papranueshme. LDK-ja i dënon ashpër këto veprime dhe kërkon që autorët e sulmeve të sillen para institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës. Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë.

LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri. Në këto momente vendit i duhet lidership i vërtetë që do të veprojë me mençuri dhe vendosmëri; që në vend ndarjes e përçarjes siguron unitet të brendshëm e koordinim të ngushtë me aleatët tanë.

(Kosova Sot Online)