Ambasadorja amerikane në Shqipëri në fund të mandatit: Do jem këtu edhe për ca më gjatë

  • S.A /
  • 13 December 2022 - 16:38
Ambasadorja amerikane në Shqipëri në fund të mandatit: Do jem këtu edhe për ca më gjatë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim iu përgjigj diskutimit lidhur me mandatin e saj, duke theksuar se do të jetë ‘edhe ca më gjatë në Shqipëri’, dhe pse në Janar të vitit të ardhshëm i mbaron mandati.

Në konferencën “Drejt ekselencës gjyqësore”, Kim u shpreh se shqiptarë po i ndiejnë rezultatet e reformës në drejtësi, por inkurajoi për më shumë.

Sipas ambasadores, me gjithë progresin e arritur, nuk është koha për të thënë ‘mjaft’ dhe për të pushuar, por për të punuar më shumë.

“Keni vendosur standarde të drejtësisë në Shqipëri, shpresoj që shumë shpejt të përmbushen 3 vendet vakante në gjykatën e Lartë. Shikoni sa larg keni arritur, 4 vite më parë në Gjykatën e Lartë ishte vetëm 1 gjyqtar. Reforma në drejtësi po jep rezultate, por njerëzit kërkojnë më shumë, dhe SHBA mendon njësoj si shqiptarët. Populli shqiptar si ai amerikan pret me padurim gjykatat e plotësuara që japin drejtësi jo hakmarrje. Kam tre vite në Shqipëri dhe do të jem këtu edhe për ca më gjatë”, tha Kim.  Ministria e Jashtme njoftoi disa ditë më parë se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores Yuri Kim.

(Kosova Sot Online )