Lachana: Prishja e rendit publik dhe dhu*na në veri të Kosovës duhet të ndalen tani

  • A.P /
  • 13 December 2022 - 20:06
Lachana:  Prishja e rendit publik dhe dhu*na në veri të Kosovës duhet të ndalen tani

Shqetësuese situatën në veri të Kosovës e ka cilësuar  zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo ka apeluar për ndalim të dhunës dhe prishje të rendit publik.

Ajo ka thënë se barrikadat e vendosura nga serbët në veri duhet të largohen menjëherë.

“Gjatë ditëve të fundit, kemi parë një përshkallëzim me një sërë sulmesh, duke përfshirë kundër Policisë së Kosovës, një patrulle vëzhguese të EULEX-it dhe gazetarëve. Gjatë këtyre ditëve, gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara. Kjo është e papranueshme. Prishja e rendit publik dhe dhuna duhet të ndalen tani”, ka deklaruar ajo.

“Gjithashtu, ne ishim dëshmitarë të ngritjes së barrikadave. Siç ka thënë Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell, ato duhet të largohen menjëherë.  Më e rëndësishmja tani është që situata të çtensionohet menjëherë, të rivendoset qetësia dhe të ketë përmbajtje nga veprimet tjera provokuese. Kjo është para së gjithash në të mirën e popullatës lokale, qetësia dhe siguria e së cilës janë në rrezik për shkak të situatës aktuale. EULEX-i do të vazhdojë të kontribuojë për qetësinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë si dhe Misioni do të vazhdojë që të monitorojë për së afërmi situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, ka shtuar ajo.

(Kosova Sot Online)