Berisha ankohet në IPK ndaj një policeje: S’do të ndalem të flas

  • A.P /
  • 04 May 2026 - 15:45
Berisha ankohet në IPK ndaj një policeje: S’do të ndalem të flas

Durim Berisha, ish këshilltar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti tha se është ankuar në Inspektoratin Policor të Kosovës kundër polices Valdete Gubetini, të cilën e akuzon se ia ka shkelur “liritë dhe të drejtat”.

Ai shkroi në një postim në Facebook se të premten nuk i ishte thënë për mbi pesë orë se për çfarë ishte arrestuar.

“Sapo i dërgova Inspektoratit Policor të Kosovës ankesën kundër zyrtares policore, znj. Valdete Gubetini, e cila, më datë 01.05.2026, duke keqpërdorur autoritetin publik, përmes veprimeve të paligjshme dhe arbitrare, ka shkelur liritë dhe të drejtat e mia themelore. Për mbi pesë orë ajo ka refuzuar të më njoftojë pse jam arrestuar, kush është ankuar ndaj meje, për çfarë vepre penale dyshohem dhe cilat veprime të mia konsiderohen inkriminuese. Edhe pse për mbi 10 herë i kam kërkuar këto informacione, emrat e atyre që janë lajmëruar në polici dhe pretendimet e tyre — të cilat nuk kanë lidhje me vepra penale — i kam kuptuar vetëm më datën 03.05.2026, kur jam sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, shkroi ai.

Berisha citoi disa fjalë, me të cilat, sipas tij, zyrtarja policore e “qortoi” atë.

“Ajo, në vazhdimësi, më ka “qortuar” dhe ka synuar të më “disiplinojë”, duke përsëritur vazhdimisht shprehjet: “qita statusa t’kanë pru ku je”, “qysh shkruan kështu për BIK”, “kush është Mullah Seksi?”, “çikjo gojë t’ka pru ku je”, “duhesh me ndryshu qasje”, “duhesh me e marrë një mësim ti”, “duhesh me shku nja dy ditë atje, pastaj e merr një mësim ti”. Kur e kam njoftuar për gjendjen time shëndetësore dhe të bashkëshortes sime, e cila ka nevojë për përkujdesjen time, më është drejtuar me fjalët: “mos u viktimizo, shumë po viktimizohesh”. Pra, një informacion të domosdoshëm për shëndetin tim dhe të bashkëshortes sime e ka cilësuar si viktimizim”, shkruan ai.

Berisha thotë se ndaj tij u kërkua të ndryshonte “qasje”.

“Sa herë i kam përsëritur fjalë “deri ne frymen e fundit nuk do te ndalem”, ajo më ka thënë: “ndrysho qasjen, o djalë”. Përderisa, përfundimisht, më ka thënë: “du me ta dhanë një mësim” dhe “këta dy hetuesit, kah të dërgojnë në mbajtje, kanë me të thanë që këtë e ki prej meje”. Ajo ka vazhduar tutje duke më thënë se: “tash shkon nja dy ditë atje, edhe qetësohesh pak, edhe kur del shpresoj që e ke marrë mësimin”. Ajo, në vazhdimësi, shprehej e irrituar nga vendosmëria ime që të mos heq dorë nga angazhimi im për zbulimin e dukurive negative. Shpresoj që rasti im të jetë i fundit kur dikush dërgohet në mbajtje në mënyrë arbitrare dhe kur pozita keqpërdoret me qëllim të frikësimit të aktivistëve kundër veprimtarive kriminale”.

Berisha thotë se nuk do të ndalet dhe do të flasë për “viktimat e abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale në xhamitë e Kosovës”.

“Jo vetëm 48 orë, por as burgu i përjetshëm nuk më ndal që të shkruaj dhe të flas për viktimat e abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale në xhamitë e Kosovës apo në Medresenë e Prishtinës — raste për të cilat ka qenë i njoftuar nga familjarët e viktimave edhe Naim Ternava. Durim Berisha do të heshtë vetëm ditën kur i Përjetshmi e merr pranë vetes”, shkroi ai.

Berisha u ndalua për 48 orë pasi, sipas tij, kishte bërë një denoncim publik rreth “dyshimeve për keqpërdorim seksual në BIK”.

Prokuroria Themelore e Prishtinës tha të shtunën se “ky rast nuk ndërlidhet me pretendime apo denoncime publike të  bëra nga i dyshuari, siç është raportuar në disa media”, por se ai dyshohet për “ngacmim dhe detyrim”.

(Kosova Sot Online)