Feraj i LVV-së e lë Vjosa Osmanin fajtore për zgjedhjet e reja
Hysamedin Feraj nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se e ka harruar emrin e Vjosa Osmanit, ish-presidentes të cilën partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti nuk e mbështeti për edhe një mandat në karrigen e shefes së shtetit.
Sipas Ferajt, Osmani “e bllokoi LVV-në” dhe “e çoi vendin në zgjedhje”.
“A mund të ma kujtojë dikush emrin e kandidatit/tes së opozitës për President të Kosovës që e bllokoi LVV, dhe kështu e çoi vendin në zgjedhje? Ndjesë nëse e kam harruar vetëm unë!”, shkroi ai.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit të fundvitit të kaluar, çështja ngeci te zgjedhja e Presidentit të ri, me Kurtin që s’e deshi më Osmanin në atë pozitë.
Për shkak të dështimit për ta zgjedhur Presidentin e ri, vendi shkoi në zgjedhje edhe një herë tjetër, për herë të tretë brenda rreth një viti e gjysmë. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor.
(Kosova Sot Online)
