Operacion i madh nga Europol në 28 shtete, mes tyre dhe Shqipëria. Sekuestrohen medikamente dhe substanca doping me vlerë 40 milionë euro. Goditen 59 grupe kriminale

  • S.A /
  • 20 December 2022 - 10:28
Operacion i madh nga Europol në 28 shtete, mes tyre dhe Shqipëria. Sekuestrohen medikamente dhe substanca doping me vlerë 40 milionë euro. Goditen 59 grupe kriminale

Mbi 10.5 milionë produkte medicinale janë sekuestruar në një operacion në shkallë të gjerë të kryer nga Europol, me 349 të dyshuar të arrestuar ose referuar tek autoritetet gjyqësore dhe 10 laboratorë klandestine të mbyllura.

Autoritetet kanë nxjerrë nga tregu ilaçe dhe substanca doping me vlerë mbi 40 milionë euro.

Mësohet se Europol ka koordinuar vijimin e operacionit Shield, “një përpjekje globale që ka në synim trafikimin e barnave të falsifikuara dhe substancave doping.

Sipas Europol, gjatë operacionit u zbuluan shumë raste të trafikut të barnave në shkallë të gjerë, duke konfirmuar se mund të jetë po aq fitimprurëse sa dhe trafiku i narkotikëve.

Gjatë operacionit, policia ka goditur 59 grupe kriminale dhe arrestuan ose raportuan në organet e drejtësisë gjithsej 349 të dyshuar.

Njëkohësisht, autoritetet sekuestruan sasi të mëdha të barnave, të falsifikuara, produkte dhe substanca dopingu dhe suplemente të paligjshme ushqimore dhe sportive, si dhe vaksina të falsifikuara kundër COVID, produkte sanitare dhe pajisje mjekësore.

Substancat doping dhe ilaçet për mosfunksionimin erektil ishin ndër medikamentet më të sekuestruara.

Operacioni u drejtua nga Franca, Greqia, Italia dhe Spanja dhe përfshiu policinë dhe autoritetet doganore nga 28 vende (19 shtete anëtare të BE-së dhe 9 vende të treta), mes tyre dhe Shqipëria.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) koordinoi agjencitë doganore ndërsa Zyra e Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO) ofroi mbështetje financiare.

Frontex, Agjencia Botërore Anti-Doping (ëADA), Organizata Botërore e Doganave (ëCO) dhe agjencitë kombëtare të mjekësisë mbështetën më tej operacionin, i cili u zhvillua midis prillit dhe tetorit 2022.© Panorama.al

(Kosova Sot Online )