Babai nga Peja: Na thanë mos e lajmëroni policinë pasi mblodhën copat e foshnjës nga lavatriçja

  • A.P /
  • 22 December 2022 - 17:07
Babai nga Peja: Na thanë mos e lajmëroni policinë pasi mblodhën copat e foshnjës nga lavatriçja

Kosovën e ka tronditur rasti i futjes së foshnjës së pajetë në lavatriçe në Spitalin e Pejës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Babai i foshnjës nuk është i sigurt nëse stafi i spitalit i ka mbledhur të gjitha “copat” e foshnjës së tij, për t’ia dorëzuar më pas në një kuti për ceremoninë e varrimit. 

Prindi i foshnjës deklaron se e ka pa me sytë e tij një punonjës të spitalit teksa ka mbledhur “copat” e foshnjës pas futjes në lavatriçe.

“Ka lind normal, po të nesërmen masi kemi dashtë me marrë foshnjën, prej moskontrollit dhe papërgjegjisë së punës e kanë fut në lavatriçe edhe është i dëmtuar komplet, copa-copa e kemi pa duke i mbledh. Në maqinë sa ka nejt nuk e di, por masi e kemi marrë atë trup unë nuk e di hala a është komplet çdo gjë e tij, kompet copë-copë, sikur kafshata-kafshata”, tha prindi i foshnjës.

Ai rrëfeu se kishte shkuar për ta marrë trupin e pajetë të foshnjës në orën 12:00 me datën 14 dhjetor, por arritën ta marrin vetëm pas insistimit prej pesë orësh. E pasi e kanë marrë, ai deklaron se infermieret në Gjinekologji e kanë rekomanduar që mos ta lajmërojë rastin në polici.


“Me datën 14 u hap rasti në polici, kemi pas me marrë në orën 12:00 me bë varrimin. E morëm foshnjën pas 5 orësh që e kemi pas të caktuar me marrë.E kemi marrë foshnjën me një kuti, në mënyrë mizore dhe e kemi dërgu për varrim. Policinë e kemi njoftu kur kemi shku me marrë foshnjën, e pam që po ikun prej përgjegjësisë dhe po na shtyjnë marrjen e foshnjës, qaty kemi dyshu. Edhe vazhduam poshtë sepse i pam lëvizjet e punonjësve aty, vazhduam prapa tyre dhe e pam që u shku njeri te lavatriçja dhe është duke i mbledhë copat e foshnjës, prej aty jemi kthy nalt në gjinekologji dhe  ekemi lajmëru rastin në polici, na bojshin motrat që mos e lajmëroni rastin. Ne e kemi lajmëru rastin ka ardhë prokuroria dhe inspektorati i Shëndetësisë” u shpreh ai.

I njëjti shtoi se foshnjën e kanë varrosur, teksa ka ftuar organet përgjegjëse që të merren me këtë rast. 

Edhe pse ky rast kishte ndodhur me datën 14 dhjetor, u bë i njohur tek mbrëmë me datën 21 dhjetor.

Pas raportimit në media, Spitali i Pejës doli me një njoftim për media për suspendimin e shtatë punonjësve të tij.

(Kosova Sot Online)